Osmani takon Milanoviç: Me miq si Kroacia, Kosova është çdo ditë e më e fortë

PRISHTINË, 3 prill/ATSH/ Kroacia mbetet aleate e çmuar e Kosovës në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë rajonale.
Kështu ka deklaruar presidentja Vjosa Osmani pas një takimi me homologun e saj kroat Zoran Milanoviq në Sofje.
“Prandaj, sot në Sofje takova mikun dhe mbështetësin e fuqishëm të Kosovës, presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviq, të cilit i përcolla urimet më të përzemërta për rizgjedhjen në këtë post”, ka shkruar Osmani.
Zoran Milanoviq u rizgjodh president tre muaj më parë pasi në raundin e dytë mori më shumë vota se Dragan Primorac.
Osmani ka theksuar se Kosova ka bashkëpunim me Kroacinë në mbrojtje, ekonomi dhe çdo fushë tjetër.
“Me miq si Kroacia, Kosova është çdo ditë e më e fortë”, ka thënë e para e vendit tonë.
Osmani ndodhet në Bullgari, ku do ta përfaqësojë Kosovën në Procesin Aqaba për Ballkanin III, me ftesë të Mbretit të Jordanisë, Abdullah II dhe presidentit të Bullgarisë, Rumen Radev, krahas liderëve të tjerë. Osmani do të mbajë fjalim në hapje të samitit dhe do të zhvillojë takime të ndara bilaterale.
Ky takim organizohet nën përkujdesjen e Mbretërisë Hashemite të Jordanisë dhe Republikës së Bullgarisë dhe synon të forcojë bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit.
Procesi Aqaba, i iniciuar nga Mbreti Abdullah II i Jordanisë në vitin 2015, ka luajtur një rol kyç në koordinimin e përpjekjeve globale kundër terrorizmit dhe adresimin e sfidave të sigurisë. /Kosovapress/