E Diel, 1 Nëntor 2026

PARIS – Franca mbështet Dhomat e Specializuara dhe pavarësinë e Kosovës

PARIS, 16 shtator /ATSH/- Franca ka rikonfirmuar mbështetjen e saj për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe për pavarësinë dhe institucionet e Kosovës, pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Ministria franceze për Evropën dhe Punët e Jashtme bëri të ditur në faqen e saj zyrtare, se ka marrë dijeni për vendimin në çështjen gjyqësore “Thaçi dhe të tjerët”, duke rikujtuar se palët kanë të drejtë të apelojnë vendimin.

“Franca rithekson mbështetjen e saj për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe rikujton angazhimin e saj në luftën kundër pandëshkueshmërisë. Ajo gjithashtu rikonfirmon mbështetjen e saj të palëkundur për pavarësinë e Kosovës dhe institucionet e saj”, thuhet në deklaratën e Ministrisë franceze.

Parisi zyrtar nënvizoi mbështetjen për punën e Dhomave të Specializuara, të cilat janë krijuar për të gjykuar çështje, që lidhen me krimet e pretenduara të kryera gjatë dhe pas luftës së Kosovës.

Reagimi i Francës vjen pas vendimit të trupit gjykues, i cili shpalli fajtorë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin për krime lufte.

Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet burgim.

Në të njëjtin vendim, trupi gjykues i shpalli të pafajshëm të akuzuarit për krime kundër njerëzimit, duke vlerësuar se Prokuroria Speciale nuk kishte provuar përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistencën e një sulmi të gjerë ose sistematik ndaj popullsisë civile.

Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe mund të apelohet.

Mbrojtja e të dënuarve ka paralajmëruar se do ta dërgojë çështjen në Apel.

Franca e ka mbështetur prej vitesh punën e Dhomave të Specializuara dhe luftën kundër pandëshkueshmërisë për krime të rënda.

Në deklarata të mëparshme zyrtare, Parisi ka theksuar gjithashtu mbështetjen për pavarësinë e Kosovës dhe forcimin e institucioneve të saj. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›