E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

PARIS – Macron: Putin gënjen për marrëveshjen e paqes

PARIS, 24 prill /ATSH-DPA/ – Presidenti francez Emmanuel Macron akuzoi sot presidentin rus, Vladimir Putin se gënjeu, pas një sulmi vdekjeprurës rus gjatë natës në Kiev.

“Kur presidenti Putin flet me negociatorët amerikanë, ai u thotë atyre se ‘unë dua paqen’. Kur ai flet me të gjithë botën, ai thotë ‘unë dua paqen”, tha Macron gjatë një vizite në Madagaskar.

”Por, Putin vazhdon të bombardojë Ukrainën”, theksoi ai.

Macron tha se ”Putin duhet të ndalojë më në fund gënjeshtrën”, duke shtuar se ”bota po priste të shihte nëse lideri rus do të pajtohej me një armëpushim pa kushte”.

”SHBA ka propozuar një të tillë, evropianët e kanë mbështetur dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë ‘po”, tha ai. “Nëse presidenti Putin thotë ‘po’, armët do të heshtin”, shtoi Macron.

Presidenti francez tha se i kishte thënë gjithashtu Trumpit, gjatë një bisede telefonike dy ditë më parë, se ”një marrëveshje paqeje varej tërësisht nga Putini”.

“Zemërimi amerikan duhet të drejtohet vetëm ndaj një personi, presidentit Putin”, tha ai.

Komentet e tij erdhën pasi një sulm rus gjatë natës në kryeqytetin ukrainas vrau të paktën 12 persona dhe plagosi më shumë se 90 të tjerë./ /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›