PARIS – Macron fajëson Hezbollahun për vdekjen e paqeruajtësit francez në Liban

PARIS, 18 prill /ATSH/- Presidenti francez, Emmanuel Macron njoftoi sot në X se një ushtar francez që po merrte pjesë në një mision paqeruajtës ndërkombëtar në Liban, ishte vrarë këtë mëngjes në jug të vendit, sipas BBC.
“Tre ushtarë të tjerë u plagosën dhe u evakuuan gjatë sulmit kundër misionit paqeruajtës të Forcës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Liban (Unifil)”, tha presidenti francez.
“Informacionet e disponueshme sugjerojnë se Hezbollahu është përgjegjës”, shtoi ai.
Macron kërkoi që autoritetet libaneze të arrestojnë menjëherë autorët e dyshuar.
Ndërkohë, kryeministri libanez, Nawaf Salam e ka dënuar ashpër sulmin ndaj paqeruajtësve francezë të Unifil-it.
“Kam lëshuar udhëzime të rrepta për të kryer një hetim të menjëhershëm për të zbuluar rrethanat e këtij sulmi dhe për t’i vendosur autorët përpara përgjegjësisë”, tha ai në një postim në X.
“Është e qartë se kjo sjellje e papërgjegjshme i shkakton dëm të madh Libanit dhe marrëdhënieve të tij me vendet mike anembanë botës, që e mbështesin atë”, tha Salam.
Kryeministri libanez nuk dha detaje se kush e kishte kryer sulmin. //a.i/