PARIS – Macron i ngarkon sërish Lecornusë detyrën e krijimit të qeverisë

PARIS, 6 tetor /ATSH-DPA/ – Presidenti francez, Emmanuel Macron i ka ngarkuar si detyrë kryeministrit në largim, Sebastien Lecornu të gjejë një rrugëdalje nga kriza politike, pas dorëheqjes së tij të papritur.
Sipas Pallatit Elize ”Macron i kishte kërkuar Lecornusë, i cili vazhdon të shërbejë si kryeministër i përkohshëm, të zhvillonte negociata përfundimtare deri të mërkurën në mbrëmje, me qëllim krijimin e një kuadri për të siguruar stabilitetin”.
“Me kërkesë të presidentit, deklarova se jam gati të zhvilloj bisedime përfundimtare me forcat politike për të siguruar stabilitetin e vendit”, shkroi Lecornu në X.
Ai shtoi se ”do ta informonte Macronin të mërkurën në mbrëmje nëse kjo do të ishte e mundur, në mënyrë që ai të mund të nxjerrë të gjitha përfundimet e nevojshme”.
Gazeta ”Le Figaro” raportoi, duke cituar burime pranë presidentit, se Macron do të merrte përgjegjësinë nëse këto negociata përfundimtare dështojnë.
Presidenti kohët e fundit përjashtoi dorëheqjen, por mund të shpërndajë parlamentin dhe të thërrasë zgjedhje të reja./ /os/