E Diel, 1 Nëntor 2026

PD: Kërcënimi ndaj gazetarit Osman Stafa të hetohet me urgjencë

TIRANË, 14 shtator /ATSH/ Partia Demokratike ka dënuar sot kërcënimin me vdekje ndaj gazetarit të News24, Osman Stafa.

Sipas PD, kërcënimi vjen pas publikimit prej tij të pamjeve nga protesta përpara Kuvendit.

Në një deklaratë, zëdhënësja e PD, Floriana Garo kërkoi që kërcënimi ndaj gazetarit të hetohet me urgjencë, duke kërkuar identifikimin e autorit të mesazhit dhe verifikimin nëse kërcënimi lidhet me publikimin e pamjeve dhe veprimtarinë profesionale të Stafës.

Partia Demokratike e konsideron ngjarjen “pjesë të një klime, gjithnjë e më armiqësore ndaj fjalës së lirë dhe akuzon qeverinë se “ndaj denoncimeve të medias përdor presion dhe intimidim”.

Në deklaratë, PD kërkon identifikimin dhe vënien përpara drejtësisë të autorit të kërcënimit dhe zbardhjen e lidhjes së mundshme të tij me pamjet e publikuara.

Gjithashtu, PD kërkon vlerësimin e rrezikut dhe garantimin e mbrojtjes për gazetarin Osman Stafa.

“Heshtja ose zvarritja nga institucionet do të përbënte mbrojtje politike për kërcënuesit dhe një mesazh frikësues për çdo gazetar që guxon të dokumentojë abuzimet e pushtetit”, thuhet në deklaratë.

Partia Demokratike shprehu solidaritet me Osman Stafën dhe gazetarët që mbrojnë interesin publik.

/gj.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›