E Diel, 1 Nëntor 2026

PD: Konsultimi për reformën territoriale në Elbasan është kthyer në farsë

TIRANË, 22 gusht /ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, Blendi Himçi tha sot se procesi i konsultimeve publike për reformën territoriale është kthyer në një farsë.

Në një deklaratë për mediet, Himçi tha se bashkia Elbasan ka parashikuar që ditën e martë, më 25 gusht, në orën 10:00, të zhvillojë njëkohësisht konsultimin me këshillin bashkiak, me 12 njësitë administrative dhe me 6 rajonet e qytetit.

Himçi e konsideron këtë organizim të pamundur për t’u monitoruar. Ai tha gjithashtu se në këshillin bashkiak nuk janë ngritur apo miratuar grupet e punës që, sipas tij, duhet t’u shpjegonin qytetarëve përfitimet e reformës dhe bazën studimore të draftit.

“Kjo tregon se nuk ka asnjë bazë studimore, asnjë analizë serioze por vetëm imponim politik pa transparencë”, tha ai.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga deputeti është kapaciteti i sallës. Sipas tij, salla ka kapacitet vetëm 140 persona, ndërsa konsultimi synon të përfshijë mijëra qytetarë.

Himçi tha se propozimi i PS-së është që bashkimi i bashkisë Cërrik dhe bashkisë Belsh me bashkinë Elbasan.

“Ky draft synon të shkrijë bashkinë Cërrik dhe bashkinë Belsh, duke i bashkuar me bashkinë Elbasan. Kjo do të thotë largim i shërbimeve nga qytetarët, centralizim i pushtetit dhe mohim i parimit të decentralizimit, i cili ka për qëllim ofrimin e shërbimeve sa më pranë qytetarit”, tha ai.

Ai theksoi se “ky proces nuk është konsultim publik, por një farsë e organizuar” ,teksa shtoi se nuk po merret në konsideratë zëri i qytetarëve.

“Ne e denoncojmë këtë sjellje si antidemokratike, si një përpjekje për të mbyllur gojën e komuniteteve dhe për t’i larguar shërbimet nga qytetarët e Cërrikut dhe Belshit”, tha ai.

/m.q/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›