PD-PS mbajnë pezull reformën elektorale

Ndonëse janë në nivel lokal, dy partitë kryesore pritet të përqendrojnë të gjitha forcat e tyre për administrimin e strukturave partiake për të dalë fitimtarë nga këto zgjedhje.
Jo vetëm kaq, por edhe LSI do të hyjë në këto zgjedhje për të testuar elektoratin e saj pas vendimit për t’u bërë pjesë e qeverisë “Berisha”.
Në muajin gusht, dy spektret e mëdha politike priten të vazhdojnë serinë e negociatave të fshehta për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit.
Për dy krerët e grupeve parlamentare PD dhe PS nuk do të ketë pushime në muajin gusht. Ngërçi i bisedimeve është fati i kutive të votimit dhe nëse deri në shtator nuk është zgjidhur kjo çështje, pritet që shumë shpejt një problem të mbulojë tjetrin dhe partitë politike të përgatiten për zgjedhjet e ardhshme.
Të dyja palët janë shprehur të gatshme që edhe në muajin gusht të votojnë ngritjen e komisionit hetimor parlamentar, por ato ndahen në interpretimin që i bëjnë Rezolutës së Parlamentit Europian për çështjen e fletëve të votimit.
PS-ja është e qëndrimit edhe në amendamentet e fundit që ka bërë, se fletët e votimit të zgjedhjeve të shkuara duhet të qëndrojnë të paprekura deri në përfundim të hetimit.
Ndërsa PD-ja thekson se për fletët e votimit duhet të ketë një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe më pas, nëse kërkohet, edhe një opinion i Komisionit të Venecias.