E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-PS rrëzojnë Ina Ramën: Jo përgjime nga hetuesit në rrethe

Pikërisht në përfundim të mandatit të saj, kryeprokurora Ina Rama ka marrë një tjetër refuzim nga Kuvendi, atë për t’i dhënë akses prokurorëve të rretheve të përgjojnë edhe pa lejen e saj. Deputetët e komisionit të ligjeve, e panë jo të arsyeshme një kërkesë të tillë të paraqitur në formë amendamenti në ligjin për përgjimet elektronike. “Proceset teknike të përgjimit të komunikimeve për nevojat e hetimeve paraprake, sipas procedurave që përcakton neni 221-226 kryhen në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, ndërkohë që pika e tretë propozon një gjë të kundërt. Nëse pika dy flet për centralizimin, pra që përgjimi të kryhet vetëm tek ajo zyrë, pika tjetër flet për decentralizimin, që të mos kryhet te kjo zyrë, po nga rrethet. Duke qenë se këto vijnë në kundërshtim unë jam që të mos përfshihet kjo pikë”, tha deputetja e PS, Ermonela Felaj. “Në fakt është këmbëngulur nga prokuroria në kërkesën e saj, dhe mua më është dukur absurde kërkesa e tyre. Ky Kuvend e ka ngritur nivelin me ligjin aktual, tek Prokurori i Përgjithshëm i cili varet direkt nga Kuvendit. Ata kërkojnë sot që këtë gjë që ne e kemi cilësuar te një njeri me përgjegjësi më të madhe, ta ulim dhe ta çojmë në nivele më të ulëta”, tha Fatos Hoxha, deputet i PD-së. Ligji i kontestuar dhe më herët nga socialistët pasi krijon institucione paralele përgjimi dhe lë shteg abuzimi, u miratua vetëm me votat e maxhorancës.

—————

Moisiu: Mandati i Ina Ramës mbaron në maj

Politikanët shqiptarë duhet të ndryshojnë mënyrën e të bërit politikë, sepse vënë interesat personale përpara interesave kombëtare. Këtë apel ka bërë ish presidenti i republikës, Alfred Moisiu i cili e shikon si të domosdoshëm bashkëpunimin mes palëve. Moisiu ka folur dhe për mandatin e kryeprokurores. Ai është bashkuar me zërat që mendojnë se Ina Rama duhet ta lërë punën në muajin maj dhe jo në nëntor.
Apel ndaj politikës
Alfred Moisiu gjatë një interviste për “AS”, thotë se palët nuk po gjejnë konsensusin për plotësimin e tre kushteve të vendosura nga Bashkimi Evropian për marrjen e statusit të vendit kandidat. Moisiu thotë se ky është një imazh i keq që po përçohet te ndërkombëtarët. “Politikanët shqiptarë duhet të ndërtojnë mënyrën e të bërit politikë. Politika nuk mund të ushtrohet mbi interesa as personale, as partiake dhe as klanore, ajo në radhë të parë duhet ti nënshtrohet interesave të kombit, të popullit. Ne kemi qenë nga të parët që kemi aplikuar për tu integruar si në NATO, dhe në BE që ne akoma nuk po arrijmë dot. Unë them që këtu ka përgjegjësi e gjithë politika”, tha Alfred Moisiu.
Mandati i Ina Ramës
Për sa i përket mandatit të kryeprokurores, Ina Rama, ish-presidenti Mosiu shprehet se mandati i saj përfundon në kohën që hyjnë në fuqi ndryshimet kushtetuese. “Nga ana kushtetuese koha e zgjedhjes së Prokurorit të ri, është jo siç po thuhet në muajin nëntor, po data kur ndryshimet kushtetuese kanë hyrë në fuqi”, shprehet Moisiu. Sfida e politikës shqiptare? Sipas ish-presidentit, do të jetë në përzgjedhja e një kandidati dinjitoz për këtë post dhe heqja dorë nga uzurpimi i institucioneve. Sipas Moisiut, për këtë çështje nuk është e nevojshme që palët t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›