PD, Pampuri: Buxheti 2024 nuk parashikon asnjë rritje reale për pensionistët

Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Orjola Pampuri u shpreh të hënën se projektbuxheti i vitit 2024 nuk sjell asnjë të re për familjet shqiptare. Në një deklaratë për mediet, Pampuri u shpreh se “buxheti i ri nuk parashikon një rritje reale për pensionistët dhe në vend të kësaj qeveria vetëm do t’i indeksojë pensionet”.
Po ashtu, Pampuri tha se “pagesat e ndihmës ekonomike, aftësisë së kufizuar, pensionet e veçanta të punës, thuajse nuk reflektojnë rritje, por dhe kompensimi financiar do të jetë nën vetë normën e inflacionit”.
“Nga ana tjetër Qeveria nuk ngurron të rrisë shpenzimet për kontratat koncesionare dhe PPP-të, të cilat për vitin e ardhshëm do të njohin sërish rritje. Plot 14.2 miliardë lekë ose 135 milionë euro do t’i kushtojnë xhepave të shqiptarëve këto kontrata, të cilat për këtë vit janë 1.2 miliardë lekë ose 11 milionë euro më të shtrenjta se një vit më parë. Më shumë se 1.75 miliardë lekë ose 16.5 milionë euro për vitin e ardhshëm do të shkojnë për sterilizimin”, tha ajo për mediat.
/rtsh.al/