PD: Penalizim përgjegjësve për helmimin e fëmijëve në kopshtin e Gramshit

TIRANË, 1 qershor /ATSH/ Partia Demokratike iu ka bërë thirrje organeve ligjzabtuese që të identifikojnë dhe penalizojnë përgjegjësit konkretë të helmimit të disa fëmijëve në një kopsht në Gramsh.
Zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli tha sot në një deklaratë për mediet se bashkia duhet të mbajë përgjegjësi pasi “kryetari i bashkisë e di mirë se kush është kontraktori sepse ekziston një kontratë e nënshkruar për këtë qëllim”, duke iu referuar rastit të helmimit me salmonelë të disa fëmijëve në Gramsh.
Sipas Vangjelit, kompania e kontraktuar ka qenë në vitin 2018 subjekt i dënimit të formës së prerë nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda, për korrupsion në tenderat e zhvilluar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
“Sipas opencorporates.al, ky operator ka regjistruar 8.5 mil euro kontrata publike përfshirë edhe periudhën pas dënimit gjyqësor të formës së prerë”, u shpreh Vangjeli. /j.p/