PD: Për këto zgjedhje vendosën qytetarët, jo gjykata
TIRANË- Partia Demokratike, duke vlerësuar zgjedhjet si më të sakta në historinë e vendit, finalizuar me një numërim krejt transparent që përfshiu vullnetin e cdo qytetari, i bën apel të gjitha palëve të pranojnë rezultatin që doli nga vullneti i qytetarëve dhe jo nga gjykata.
Gjatë një deklarate për mediat, zëdhënësja e PD-së, Albana Mustafaraj akuzoi kreun e PS-së, Edi Rama si të vetmin njeri që vazhdon ti bëjë presion e të kërcënojë institucionet në vend.
Në vitin 2009 ODIHR i ka tërhequr vëmendjen Edi Ramës për përpjekje që të siguronte rezultat jashtë kornizës ligjore- tha ajo, duke pyetur se përse Rama nuk e deklaron se nuk do të numërohet cdo votë e shqiptarëve.
Ai sipas saj, bën përpjekje për të shkatërruar procesin ligjor, duke sulmuar drejtësinë për faktin e vetëm se ajo numëroi cdo votë.
Pavarësisht cfarë thotë Rama të gjithë e dinë se nuk është gjykata që vendosi, por vetë kryeqytetasit. I kërkojmë Ramës të heqë dorë ndaj cdo presioni dhe të gjitha palët duhet të pranojnë rezultatin që buron nga vullneti i cdo qytetari- përfundoi ajo.