E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Rama kërkon të bllokojë për herë të tretë statusin

Partia Demokratike ka akuzuar sërish kreun e PS-së Edi Rama se kërkon të bllokojë statusin e vendit kandidat për të tretën herë.
Zëdhënësja e PD-së Silvi Bardhi theksoi se kryesocialisti Rama ka vendosur të rikthehet përsëri në traditën e tij disa vjeçare destruktive të bllokimit të votimit në Parlament të reformave që kërkojnë miratimin me tre të pestat e votave.
 

“Me qëndrimin që ai po mban ndaj votimit të ligjeve për reformën e pushtetit gjyqësor, dëshmon qartë se ai përpiqet dhe shpreson se do të bllokojë për të tretën herë statusin e vendit kandidat për Shqipërinë. Me sa duket zoti Rama vazhdon të besojë verbërisht se me bllokimin e tij të rradhës do të mund kështu të fajësojë e të bëjë përgjegjëse qeverinë e cila po bën gjithçka për plotësimin e kërkesave të Brukselit për marrjen e statusit” theksoi zëdhënësja.
 

Zëdhënësja e PD-së gjithashtu ka shtuar se Rama për qëllime tërësisht personale dhe kryekeput në funksion të karriges së pushtetit do me çdo kusht të bllokojë ngritjen e Kolegjit Administrativ në Gjykatën e Lartë, ngritjen e të cilit e propozuan vetë deputetët e Partisë Socialiste në Komisionin e Ligjeve.
 

“Partia Demokratike denoncon këto qëndrime destruktive dhe bllokuese të z.Rama si një përpjekje absurde dhe e dëshpëruar për të afruar ardhjen e tij në pushtet nëpërmjet bllokimit të reformave që kërkohen për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe shkelmimit të interesave europiane të qytetarëve shqiptarë” tha Bardhi.
 

Gjithashtu, PD-ja i ka bërë thirrje kryetarit të Partisë Socialiste të heqë dorë nga politika e bllokimit të reformave të drejtësisë, ngritjes së Kolegjit Administrativ dhe Gjykatës Administrative të cilat sipas saj janë jetike dhe të domosdoshme për bizneset dhe qytetarët shqiptarë, zgjidhjen e problemeve të tyre të shumta me Administratën shtetërore dhe mbrojtjen e tyre nga arbitrariteti i kësaj të fundit.
 

“Partia Demokratike i rikujton z.Rama se mbështetja e reformave për integrimin e vendit është detyrim kushtetues, statutor dhe programor për Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste si dhe të gjitha forcat politike të harkut kushtetues të vendit” shtoi zëdhënësja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›