E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Rama trego lidhjet me Barjabëndhe si ndërtove "pallatin e Lindës"

TIRANE- Partia Demokratike vazhdon të insistojë danj kryetarit të PS-së për të dhënë shpjegime për lidhjet financiare familjare me Sekretarin e Çështjeve Sociale, Barjaba; fshehjen e origjinës së 100 milionë lekëve kredi pa interes të bashkëshortes së tij Lindita Basha, si dhe pallatin e ndërtuar në lulishten e sheshit të pallateve në rrugën "Qamil Guranjaku"

Duke ngritur pikëpyetje të cilat PD i kërkon kryetarit të opozitës Rama, PD flet për një bashkëpunim ndër vite mes Linda Bashës dhe Kosta Barjabës.
“Partia Demokratike edhe një herë pyet zotin Rama: Sa projekte ka ndarë zonja Lindita Basha me Kosta Barjaben gjatë viteve të bashkëpunimit të ngushtë të tyre?  Në rast se ka nevojë për dokumenta, ne jemi të gatshëm ta ndihmojmë.”- deklaroi sot PD nëpërmjet zëdhënëses së saj, Laura Vorpsi.

Po kështu PD insiston për të marrë përgjigje nëse ka pasur konflikt interesi në momentin kur ka dhënë lejen e ndërtimit dhe të tregojë si është bërë ndërtimi i këtij pallati. Sipas PD-së firmat për ndërtimin e pallatit janë shpërblyer me leje ndërtimi e kontrata të tjera të favorshme.

DEKLARATA E PLOTE E PD-se
Z.Rama pas pushimeve të zgjatura në resortet më luksoze, refuzoi t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve për lidhjet e tij financiare familjare me Sekretarin e Çështjeve Sociale, xhepistin Barjaba, fshehjen e origjinës së 100 milionë lekëve kredi pa interes të bashkëshortes së tij Lindita Basha, si dhe pallatin pajë të bashkëshortes së tij, ndërtuar në lulishten e sheshit të pallateve në rrugën "Qamil Guranjaku" dhe që kanë të bëjnë me standartin minimal të transparencës që duhet të demonstrojë çdo politikan, e aq më tepër drejtuesi i partisë më të madhe të opozitës.

Partia Demokratike edhe një herë pyet zotin Rama:

1- Sa projekte ka ndarë zonja Lindita Basha me Kosta Barjaben gjatë viteve të bashkëpunimit të ngushtë të tyre?
Në rast se ka nevojë për dokumenta, ne jemi të gatshëm ta ndihmojmë.

2- Cili është historiku i vërtetë i pallatit 5 katësh dhe një kat nën tokë i bashkëshortes dhe familjarëve të saj, ndërtuar në lulishten e pallateve me firmën tuaj?

3- A keni qenë ju në konflikt interesi në rastin e lëshimit të dy lejeve të ndërtimit për këtë pallat të bashkëshortes suaj dhe familjarëve të saj?

Lejet e ndërtimit për këtë pallat, janë lëshuar për një truall që mbante klasifikimin ligjor të sheshpushimit midis pallateve dhe për të cilat ligji shprehimisht i ndalon bashkitë të lëshojnë leje ndërtimi.

4- A ndjeheni përgjegjës, se ju për interesa familjare, keni shkelur ligjin me lëshimin e këtyre lejeve të ndërtimit?

Investitorë të pallatit në kohën e ndërtimit, rezultonin një pensionist dhe një i vetëpunësuar me të ardhura të pakta.

5- Si është paguar firma e ndërtimit të pallatit të gruas suaj Linda Basha, me para’, apo mos ndoshta firmat e ndërtimit janë shpërblyer me leje ndërtimi, kontrata të tjera të favorshme nga bashkia? Apo pallati është ndërtuar me para të gjobave 20%-she që të kanë paguar kompanitë e ndërtimit sipas akuzave të tyre publike?

6- Pse nuk është deklaruar as sot origjina e 100 milionë lekëve kredi pa interes që gruaja juaj Linda Basha ka dhënë apo marrë? Pse nuk deklarohet marrësi apo dhënësi i kredisë pa interes në ILDKP si ç'kërkon ligji i këtij institucioni?

7- A janë deklaruar në organet tatimore dhe a janë paguar taksat nga gruaja juaj për 100 milionë të kredisë pa interes?
Partia Demokratike të rikujton edhe një herë z.Rama se përgjigjia ndaj këtyre pyetjeve si dhe ndaj çdo pyetje tjetër që ka të bëjë me historinë e pallatit pajë, kredisë pa interes dhe lidhjet financiare familjare me xhepistin Barjaba, ka të bëjë me standartin më minimal të transparencës së domosdoshme për çdo person publik.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›