PD: Rexhë Byberi shpërfill arrestin dhe shkon në zyrë

TIRANE, 10 dhjetor/ATSH/ Zëdhënësja antikorrupsion në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli deklaroi mbrëmjen e sotme në një dalje për mediet se kryebashkiaku i Tropojës, Rexhë Byberi edhe pse ndodhet nën masën arrest shtëpie, shkon në zyrë duke shkelur rëndë ligjin.
Vangjeli tha se Byberi që nga data 9 shtator 2024, është në arrest shtëpie për tri akuza: “Shpërdorim detyre”, “Prerje të paligjshme të pyjeve” dhe “Shkatërrim të pronës”, duke shkaktuar një dëm financiar prej 2.8 milion euro.
“Por, edhe pse ndodhet nën masën e arrestit, më 6 dhjetor 2024, Byberi është paraqitur në zyrën e tij për të bërë takim me administratën e bashkisë, një fakt që është konfirmuar nga disa media”, vuri në dukje ajo.
“Kjo shkelje e vendimit të gjykatës ka ndodhur pasi më 6 dhjetor ishin mbushur plot 3 muaj që ai ishte nën arrest shtëpie dhe nuk ishte paraqitur në detyrë si kryetar i bashkisë, gjë që përbën arsye të shkarkimit”, tha Vangjeli.
Pasi kaloi afati i 3 muajve, vijoi ajo, Byberi e shpërfilli arrestin shtëpiak dhe iu paraqit në detyrë në shkelje të vendimit të gjykatës.
“Byberi ka abuzuar zuar në mënyrë të konsiderueshme me tenderët, për të cilët ka denoncime dhe kallëzime penale në SPAK nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSh) dhe nga media”, tha Vangjeli.