E Hënë, 2 Nëntor 2026

PD: SPAK të hetojë me urgjencë lejet e ndërtimit

TIRANË, 8 nëntor/ATSH/ Zëdhënësja e Antikorrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli në një deklaratë sot për mediet tha se aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje duhej të nisej nga qendra e kryeqytetit.

“Ndërsa deri në vitin 2018, sheshi qendror i Tiranës ishte i mbrojtur për shkak të vlerës historike. Vetëm pas ndryshimeve të bëra nga qeveria, kufiri i mbrojtjes u zhduk dhe kulla të reja nisën të ngrihen njëra pas tjetrës. Sot, një metër katror në këto godina kushton deri në 5000 euro, çmime këto të papërballueshme për banorët e thjeshtë të cilët nuk kanë vend në to, prandaj shumica e tyre janë bosh, shenjë e qartë e pastrimit të parave që po ndodh në sy të të gjithëve”, tha ajo.

Sipas saj, “në shtatë vitet e fundit, në Tiranë janë dhënë leje ndërtimi për rreth 12 milionë metra katrorë sipërfaqe banimi e komerciale, një pjesë e madhe e të cilave në qendër të qytetit, ndërsa asnjë aksion i qeverisë nuk guxon të afrohet te kullat”.

“Partia Demokratike i bën thirrje SPAK-ut të hetojë me urgjencë lejet e ndërtimit të dhëna, dhe zbatimi i punimeve në respekt të tyre, burimin e fondeve dhe skemat e pastrimit të parave që fshihen pas këtyre projekteve, lidhjet midis ndërtuesve dhe funksionarëve të lartë shtetërorë”, deklaroi Vangjeli.

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›