PD: Shpallja e zgjedhjeve në Himarë, antikushtetuese

TIRANË, 6 korrik /ATSH/ Federata e Partive Opozitare me anë të një deklaratë e konsideron të kërcënuar rendin kushtetues me aktin e djeshëm të KQZ-së dhe Presidentit të Republikës, i cili dekretoi datën 4 gusht për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme në Himarë.
Federata e Partive Opozitare, shprehet se, kjo dalje e qeverisë mbi ligjin, dhe shumë të tjera të tilla, duhet ndëshkuar, prandaj qytetarët shqiptarë të bëhen bashkë në protestën e 11 korrikut.
“Partia në pushtet i dha fund dje çdo iluzoni se Kushtetuta e Shqipërisë është dokumenti themeltar i shtetit. Kryeministri Rama, pasi e mori peng, nëpërmjet një procesi të stisur dhe antiligjor 14 muaj më parë, pasi e parakaloi nëpër salla gjyqesh, dje, në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën, i hoqi mandatin kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, dhe shpalli zgjedhjet për zëvendësimin e tij. Komisioneri Shtetëror i zgjedhjeve, në një seancë të mbledhur me urgjencë, e shkarkoi Belerin. Kjo i hapi rrugë Presidentit të Republikës, me të njëjtën urgjencë, të dekretonte zgjedhjet në Himarë më 4 gusht. Edi Rama është tashmë i papenguar në planin e tij që kryetari i Himarës të emërohet, jo të zgjidhet. Vetëm një i emëruar i tij i lë dorë të lirë për t’i shtrirë “investitorët strategjikë” të qeverisë edhe në bregdetin ende të papushtuar të Himarës”, thuhet më tej në deklaratë.
Sipas Federatës së Partive Opozitare, në Shqipëri nuk ka ndarje apo balancë pushtetesh, por vetëm mbipushtet të Ramës.
“Dekreti i Presidentit Begaj është gjithashtu i pambështetur në ligj. Sipas nenit 10/3 të Kodit Zgjedhor Presidenti shpall zgjedhjet e parakohshme pasi ka kaluar afati i ankimit të subjektit të shkarkuar. As shansin e ankimimit, pasi i hoqën atë të betimit dhe lirinë, nuk ia dhanë kryebashkiakut dhe eurodeputetit Beleri”, vijon deklarata.
Federata e Partive Opozitare e konsideron të kërcënuar rendin kushtetues me akte të tilla.