E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, Tabaku: Rama plan për të grabitur pasuritë e vendit, nuk do e lejojmë

TIRANË- Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku nëpërmjet një deklarate për shtyp nga selia e PD-së, komentoi sërish konferencën e PS ‘Shqipëria e gjeneratës tjetër’, dita e dytë e së cilës po mbahet sot.

Duke u ndalur tek territori dhe projektet e reja të qeverisë së re, Tabaku u shpreh se shembullin më të mirë për territorin Rama e shpalosi në Tiranë.

“Këto ditë u mblodh në Tiranë një grup urbanistësh, klientelë e vjetër e kryesocialistit, arkitektit të betonizimit të Tiranës. Pjesë e një historie të dhimbshme të kryeqytetit, ky grup, i sajuar dhe i padëgjuar në ndonjë vend tjetër, vjen sërish të ekzekutojë me komandë politike mbi pronat publike dhe private të shqiptarëve. Vizioni i vërtetë i kryesocialistit për territorin u shpalos më së miri në Tiranën e betonizuar gjatë kujdestarisë së tij. Mungesa e qëllimshme 11 vjecare e Planit Urban të Tiranës është një leksion bindës se ai e sheh territorin si një hapësirë për ta futur nën kontrollin e tij dhe të miqve të tij. Ndaj dhe këto ditë u përkujdes të mos u shfaqte turistëve kureshtarë as edhe një foto të bëmave të tilla si Komuna e Parisit”, tha Tabaku.

Sipas saj, Rama po synon të vendosë pronat e vendit në kontrollin e miqve të tij.

"Për të mbrojtur standartet demokratike dhe të drejtat civile, sociale dhe ekonomike të qytetarëve, Partia Demokratike do të jetë në krah të gjithësecilit, përballë këtij arbitrariteti. Partia Demokratike nuk do lejojë që pjesët më të cmuara të vendit, të bregdetit, të rivierës shqiptare të grabiten dhe me to të shpërblehen gjithfarësoj arkitektësh e biznesmenësh që financuan fushatën e PS. Kërcënimet e Kryesocialistit për anullimin e planit urbanistik të Tiranës, fshehin vetëm interesat e grupeve dhe klientëve të tij", vijoi Tabaku.

Ajo i kujtoi më tej kryesocialistit të mbajë premtimet elektorale. "Koha për shfaqje mediatike dhe skenike ka mbaruar dhe shumica e qytetarëve të vendit presin shëndetësi falas, heqje të taksës së biznesit të vogël, ulje të taksave për 95% të shqiptarëve, legalizim falas, 300 mijë vende pune e të tjera premtime me të cilat PS erdhi në pushtet".
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›