E Diel, 1 Nëntor 2026

PD akuza Ramës: Po e mban peng integrimin europian të Shqipërisë

Partia Demokratike e Shqipërisë ka reaguar përmes zëdhënëses Floriana Garo lidhur me raportin e fundit të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian për Shqipërinë dhe letrën e kreut të këtij komisioni, David McAllister, drejtuar komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos.

Në deklaratën për mediat, PD falënderoi Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian për atë që e cilësoi raport objektiv dhe për rekomandimet mbi rolin që duhet të ketë opozita dhe parlamenti në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Sipas demokratëve, integrimi në Bashkimi Europian nuk duhet të jetë një proces i mbyllur dhe i kontrolluar nga qeveria, por një proces transparent dhe gjithëpërfshirës, ku parlamenti të ketë rol qendror.

Në deklaratë, PD akuzon kryeministrin Edi Rama se ka “pronësuar” procesin e integrimit dhe ka përjashtuar opozitën nga roli i saj kushtetues.

Partia Demokratike deklaron se integrimi duhet të bazohet te reformat reale, shteti ligjor dhe ekonomia e tregut, duke përmendur si shembuj negativë rastet e pretenduara të korrupsionit që lidhen me Belinda Balluku dhe Karçanaj.

Demokratët kritikojnë gjithashtu ndryshimet në strukturën parlamentare, duke pretenduar se qeveria i hoqi opozitës drejtimin e Komisionit të Integrimit me procedurë antikushtetuese, ndërsa akuzojnë mazhorancën se refuzon debatet parlamentare dhe interpelancat për çështjet e integrimit europian.

Në deklaratë përmendet edhe letra e firmosur nga Rama dhe presidenti serb Aleksandar Vučić, që sipas PD-së synon një formë anëtarësimi të pjesshëm në BE përmes nismave rajonale, si vazhdim i “Ballkanit të Hapur”.

PD akuzon gjithashtu qeverinë për mungesë transparence ndaj rekomandimeve të institucioneve europiane dhe për censurim të raportit të fundit të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian në media.

Në fund të deklaratës, Partia Demokratike thekson se integrimi europian mbetet objektivi kryesor politik i saj dhe garanton qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë se mbështet një proces integrimi të bazuar në meritë dhe standarde europiane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›