PD i ofron opozitës të drejtojë një Komision Hetimor Parlamentar për zgjedhjet

Tiranë, 22 Nëntor NOA Partia Demokratike deklaroi para pak çastesh se i ofron opozitës të drejtojë një komision hetimor parlamentar për zgjedhjet dhe paralajmëron edhe tërheqjen e anëtarëve të saj për të bërë të mundur që kontrollin ta ketë e majta.
Pohimi u bë nga Erla Mëhilli, zëdhënëse e PD e cila foli edhe për deklaratën e bërë pasdite nga zëdhënësja e Partise Socialiste, Armela Imeraj se opozita nuk kërkon rinumërim të votave por hetim të zgjedhjeve.
Më në fund dhe për here të parë që nga 28 Qershori, zëdhënësja e PS, Imeraj, deklaroi në emër të opozitës se opozita nuk kërkon rinumërim të votave as ndryshimin e vendimit të Gjykatës por kërkon hetim parlamentar të zgjedhjeve.
PD deklaron se mbetet e gatshme dhe e hapur për krijimin e Komisionit Hetimor Parlamentar në përputhje me Kushtetutën, ligjin organik të Komisioneve Parlamentare dhe Gjykatës Kushtetuese për objektin e hetimit të Komisionit Parlamentar. deklaroi Mëhilli.
Ajo më tej shtoi: PD i përmbahet angazhimit të saj publik se në këtë komision, pavarësisht se ligji i Komisioneve Parlamentare parashikon në mënyrë taksative që mazhoranca ka shumicën e komisionit, të krijojë pas zgjedhjes se Komisionit mundësinë që shumicën ta ketë opozita duke tërhequr anëtarët e saj prej tij.
e.r/NOA - Lexoni si erdhi reagimi: PS, me qëndrim zyrtar: Nuk kërkojmë rinumërim të votave, po hetim të zgjedhjeve