PD kallëzim në SPAK për “The Albanian Files”

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ndaj kryeministrit Edi Rama, lidhur me atë që opozita e cilëson si afera “The Albanian Files”.
Kallëzimi është bërë nga kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi.
Sipas Bardhit, kallëzimi përfshin dyshime për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të “Grupit të Strukturuar Kriminal”.
Partia Demokratike thotë se përmbajtja e librit “Albanian Files” paraqet atë që e cilëson si një skemë të organizuar për dhënien e lejeve të ndërtimit në vend. Sipas PD-së kryeministri Edi Rama, në cilësinë e Kryeministrit dhe Kryetarit të Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT), përzgjidhte studio ndërkombëtare të arkitekturës, kontaktonte me to dhe më pas i lidhte me investitorë apo ndërtues shqiptarë. PD nënvizon se këta investitorë paguanin tarifa të larta për projektimin dhe më pas përfitonin leje për ndërtimin e pallateve, kullave, hoteleve dhe resorteve në Tiranë dhe zonat bregdetare.
“Nga përmbajtja e këtij libri, zbardhet skema se si shtetasi Edi Rama, me detyrë Kryeministër/Kryetar i Këshillit Kombëtar të Territorit (në vijim «KKT»), përzgjidhte studiot ndërkombëtare të artitekturës, i kontaktonin, takonin dhe më pas krijonin lidhjet me investitorë apo ndërtues shqiptarë. Këta të fundit paguanin shuma të larta për projektimin dhe më pas përfitonin leje ndërtimi për ndërtimin e pallateve, kullave, hoteleve apo resorteve në Tiranë dhe zonat bregdetare të vendit”, thotë PD.
PD pretendon se rastet e përfshira në “Albanian Files” tregojnë se zhvillimi i sektorit të ndërtimit, veçanërisht ai i kullave në Tiranë, nuk ka ndjekur procedurat normale administrative. Sipas saj, në vend që investitorët të paraqisnin projektet pranë Agjencisë së Zhvillimit të Territorit dhe më pas ato të shqyrtoheshin nga KKT, ishte vetë kryetari i KKT-së që identifikonte dhe kontaktonte studiot e huaja të arkitekturës, të cilat më pas lidhnin marrëdhënie me investitorët shqiptarë.
“Rastet e përmendura në «Albanian Files» provojnë se zhvillimi i sektorit të ndërtimit në Tiranë, veçanërisht ndërtimi i kullave të larta, nuk ndiqte procedurën normale, ku një investitor paraqiste dokumentacionin teknik dhe ligjor për ndërtimin e një vepre pranë Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, dhe në përfundim të procedurës administrative, çështja i kalonte Këshillit Kombëtar të Territorit për vendimmarrje. Në fakt, ishin shtetasit Edi Rama, Kryetar i KKT-së, i cili identifikonte, kontaktonte dhe takonte studiot e arkitekturës, të cilët më pas i lidhnin me investitorë apo biznemenë shqiptar për të vijuar procedurat e projektimit dhe marrjes së lejeve të zhvillimit dhe ndërtimit. Arkitektët dhe studiot ndërkombëtare që u imponoheshin investitorëve shqiptarë, kishin tarifa shumë të larta, deri në 10-fishin e çmimeve të tregut, çka sillte më pas rritje të kostove, e për rrjedhojë rritje të çmimeve të shitjes së sipërfaqeve të ndërtimit. Nëse çmimet mesatare të projektimit variojnë nga 7-10 euro për m2, arkitektët e huaj faturojnë 60 euro/m2, duke arritur kështu në kosto projektimi nga 300 mijë deri në 2 milionë euro. Megjithatë, kjo shihet si një mënyrë e sigurtë për të përfituar lejen e zhvillimit apo ndërtimit nga AZHT-ja dhe KKT-ja”, thotë PD në kallëzimin e depozituar në SPAK.