E Diel, 1 Nëntor 2026

PD kallëzon në SPAK kryetarin e Kuvendit për shpërdorim detyre

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ndaj kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, nën akuzën për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.

Sipas RTSH24, kallëzimi penal është paraqitur më 9 janar 2026 dhe mban firmën e kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi. Sipas dokumentit, Peleshi akuzohet se ka vepruar në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit, duke penguar shqyrtimin e një kërkese të SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin ose heqjen e lirisë së deputetes dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Në kallëzim thuhet se Prokuroria e Posaçme i ka drejtuar Kuvendit, me shkresë zyrtare të datës 16 dhjetor 2025, kërkesën për autorizimin e masës së sigurimit ndaj Ballukut. Sipas PD-së, kryetari i Kuvendit ka refuzuar vijimin e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, duke e konsideruar këtë veprim si të qëllimshëm dhe në kundërshtim me nenin 13, pika 6, të Rregullores së Kuvendit.

Grupi Parlamentar i PD-së pretendon se këto mosveprime kanë cenuar të drejtat e anëtarëve të Këshillit, kanë penguar drejtësinë dhe kanë dëmtuar mbarëvajtjen e hetimeve të SPAK.

  • /rtsh.al/

    Më shumë nga Politika

    Të gjitha ›