PD kërkon ndihmën e prokurorisë, opozita dyshuese për hetimin e krimeve zgjedhore nga SPAK

Partia Demokratike i ka kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela, që nga sot deri më 11 maj t’i japë prioritet hetimit dhe ndëshkimit të krimeve elektorale. Nënkryetari i PD, Oerd Bylykbashi, dhe sekretari për çështjet elektorale, Ivi Kaso, i përcollën sot Kryeprokurorit Çela shqetësimin për pandëshkueshmërinë e krimeve zgjedhore në Shqipëri.
“Është koha e ndërhyrjeve të drejtpërdrejta nga prokuroria. Nëse do të ketë masa efektive, sigurisht që edhe shumë veta do të jenë të prirur të ndalen e të mos bëjnë krime zgjedhore, që kanë në bazë pandëshkueshmërinë”, tha Bylykbashi.
Bylykbashi është shprehur skeptik për strategjinë që SPAK publikoi për hetimin e krimeve elektorale, duke vënë në dukje se deri tani Prokuroria e Posaçme ka refuzuar të hetojë krimet zgjedhore.
“Asgjë që është thjesht letër nuk i bën punë askujt. Ka qenë në gjumë për një kohë të gjatë dhe ka refuzuar të merret me krimin zgjedhor. Janë shumë vonë, rëndësi kanë faktet, sa persona dënohen për shitblerjen e votës që ka filluar sot këtu dhe në diasporë”, shtoi ai.
SPAK-u ka në kompetencën e tij, përveç funksionarëve të lartë, edhe veprat penale që lidhen me korrupsionin zgjedhor, ndërkohë që prokuroritë e rretheve kanë në kompetencë të gjitha krimet zgjedhore që lidhen me përdorimin e burimeve shtetërore në zgjedhje dhe presionin mbi administratën. Në zgjedhjet lokale të vitit 2023, PD bëri 33 kallëzime penale në SPAK dhe prokuroritë e rretheve, por asnjë prej tyre nuk shkoi deri në fund.
Në gjykimin e Partisë Demokratike, një task-forcë e përbashkët mes SPAK-ut, prokurorive të rretheve, Shërbimit Informativ, Policisë dhe të gjitha institucioneve ligjzbatuese do të ishte strategjia më e mirë për të luftuar krimet zgjedhore. Sipas PD, prej kohësh problemet në zgjedhje nuk shfaqen ditën e zgjedhjeve apo në kutinë e votimit, por muaj më parë, me presionin mbi administratën, përdorimin e burimeve shtetërore në fushatë, shitblerjen e votës apo përfshirjen e bandave kriminale.
Përpjekja e PD për të rritur numrin e dënimeve për krimet zgjedhore është e hershme. Në reformën e realizuar në vitin 2020 u bënë disa ndryshime në ligjet e reformës në drejtësi për të specifikuar se në vlerësimin e çdo prokurori apo gjyqtari do të merret parasysh edhe mënyra se si ka vepruar me dosjet e krimit elektoral. /vizionplus.tv