PD kërkon përjashtimin e Ballës nga Kuvendi, shumica socialiste e refuzon

Partia Demokratike ka kërkuar përjashtimin e kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, nga punimet e Kuvendit, pas debatit të ashpër të zhvilluar në seancën e fundit plenare.
Opozita pretendoi se Balla u ishte drejtuar deputetëve të PD me fjalë fyese nga foltorja e Kuvendit.
Por kërkesa e opozitës u hodh poshtë nga shumica socialiste, e cila e konsideroi çështjen “të mbyllur” pas ndjesës publike të Ballës.
Demokratët e cilësojnë vendimin e Komisionit të Etikës si një standard të dyfishtë dhe mbrojtje politike ndaj eksponentëve të PS-së, pasi po sot u vendos përjashtimi i liderit të PD, Sali Berisha me 10 ditë, për deklaratat ndaj ambasadorit të BE, Silvio Gonzato.