PD në Vlorë, Berisha: Ja kemi dalë të ndryshojmë Shqipërinë
Partia Demokratike në turin e saj të fushatës elektaorale, është ndalur mbrëmjen e sotme në qytetin e bukur bregdetar të Vlorës.
PD-ja pasi kaloi me sukses testin ndoshta më të vështirë të fushatave elektorale, me një miting madhështor në hapjen e fushatës në këtë qytet, pasditen e sotme ka mbledhur me mijëra qyetarë të këtij qarku, të cilët kanë mbushur sheshin Pavarësia duke i dhënë atij ngjyrën blu dhe duke e bërë njësh me detin.
Lidershipi i mazhorancës, Sali Berisha, i gjendur në qyetin e pavarësisë vetëm disa orë pasi kundërshtari i tij politik dhe njëkohësisht kandidat për deputet në këtë qytet, Edi Rama, zhvilloi një kënd fjale me ish-ushtarakët në Vlorë, është gjendur disi komod, duke e përqëndruar të gjithë fjalimin e tij në kundërpërgjigje në distancë ndaj akuzave që Rama lëshoi në drejtim të tij.
Mos eja këtu e të tregosh idetë e gjyshit tregtar, por kur nuk ke ide për të ardhmen do të merresh me idetë e gjyshit, me idetë e të shkuarës, ty të ka ngelur ora me orën e gjyshit tënd. Vlora sot qarkullon mallra sa çnuk qarkullonte tërë Shqipëria në kohën e gjyshit. Mos u trego vlonjatëve, fotot e fuqive armike, por respekto vlonjatët dhe shqiptarët, sepse respekti është detyrimi i parë i çdo politike. Mos kujto më taksën progressive; erdhi bullgari këtu e tha është katastrofë. Tani herë e përmend, herë se përmend. Z.Rama, respekto qytetarët, sepse ai është detyrimi ynë i parë. Përsa i përket modelit, zotëri, me këta burra e gra të gjithë shqiptarë na lidh një përpjekje e madhe, kurse ti zotëri je modeli i shkretimit. Një gjë pate në dorë, të votosh ligjet dhe për shpirtin e zi, i bllokove tre vjet rresht. Z.Rama, me këta njerëz na bashkon përpjekja e madhe për një jetë më të mirë, ndaj po ndërtojmë rrugë, tunele, kurse ti zotëri, në të gjithë fuqinë tënde, votove kundër çdo gjëje, u shpreh Berisha.
Berisha e ka quajtur ditën e sotme si një ditë të bekuar, pasi sot u realizua bashkimi i tunelit të Tiranës me Elbasanin.
“Mirënjohje dhe përshëndetjet më të zjarrta shqiptarëve nga Vlora e Pavarësisë. Zotohem para jush se me deputetët e Vlorës do të ndërtojmë Shqipërinë Evropiane. E kemi marrë Shqipërinë në një kohë shumë të vështirë, vendi ishte pa energji, nuk kishte ujë dhe shkollat po rrënoheshin, NATO dhe BE ishin larg ndeshe. Por në këto vite së bashku me një besim të madh te energjia, forca dhe vullneti ia kemi dalë që të ndryshojmë Shqipërinë, të ecim më shpejt se kurrë në historinë. Rrogat dhe pensionet janë rritur në 8 vjet, infrastruktura në qarkun e Vlorës dhe Shqipërisë është moderne. Sot lëvizim të lira dhe pa viza në të gjithë Evropën, po bëjmë gjithçka që pasuritë ti shëndërrojmë në vlera. Sot arrita në Gjirokastër nga Levani për një orë e 4 minuta, sot inauguruan fillimin e baypass-in e Fierit”, tha kreu i selisë blu.
Ndërsa ka sulmuar alternativën e majtë, Kryeministri u tha qyetarëve të Vlorës se për ta kuptuar atë duhet lexuar modeli i Koço Kokëdhimes, simboli i spekulimeve.
Unë nuk shkoj në rrafsh personal, por një gjë po ta them. Kam qënë President, kam qënë kryeministër, jetoj në një apartament 125 km katror, se rroga ime aq e përballonte, kurse ti do të vish drejt karriges sime me një vilë 57 m dhe një pallat pesëkatësh. I nderuar zotëri! Familja është familje, ajo është vlera më supreme. Me këtë vlerë bashkohen të gjithë shqiptarët, të çfarëdo që janë. Zotëri, këtë vlerë e shkelmojnë të gjithë ata që ndahen e martohen para çdo fushate elektorale e ti, i tillë je. E së fundi, ke prurë në Vlorë Koço Kokëdhimën, njeriun që mezi shkel në fshatin e tij, në Qeparo, sepse mori parët e rrugës dhe i prishi rrush e kumbulla. Ke prurë në Vlorë rrezikun më të madh përsa i përket pangopshmërisë, tha kryeministri.