E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK mban kuvendin në vjeshtë

Partia më e madhe në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës, e cila qeverisë me vendin vazhdon të mos i ketë punët mirë me kuvendet zgjedhor, pasi ka vite që ajo ka injoruar zgjedhjet e brendshme. Në krejt këtë punë, ‘aleat’ ka pasur heshtjen e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ).

Jakup Krasniqi, kryetar i Komisionit për përgatitjen e kuvendit të rregullt ka thënë se janë disa procese me rëndësi për Kosovën që kanë ndikuar në shtyrjen e tij, duke përmendur edhe temperaturat e larta, ndërsa ka mohuar që lirimi i Fatmir Limaj ka ndikuar në shtyrjen e tij. Në anën tjetër, analistët vlerësojnë se kësaj partie është duke i munguar demokracia e brendshme dhe se ajo po vazhdon të udhëhiqet nga një diktaturë partiake.

Kuvendi i fundit që ka mbajtur PDK-ja ka qenë viti 2010 një Kuvend të cilit nuk i ka parapri edhe mbajtja e zgjedhjeve nëpër degë të partisë, një kuvend ky, jo pak i kritikueshëm, për mënyrën e zgjedhjes së kryetarit të saj.

Për shtyrjen e kuvendit zgjedhor, Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, Jakup Krasniqi, njëherësh i ngarkuar për të përgatitur mbajtjen e tij, ka thënë për Kosovapress se shtyrja ka ndodhur për shkak të procesit të përmbylljes së pavarësisë.

“Po shikoni ne jemi sot në institucione dhe puna në institucione realisht të merr kohë shumë. Tash jemi në fazën kur jemi duke punuar në procesin e heqjes së mbikëqyrje së pavarësisë dhe ky është një proces i rëndësishëm për Kosovën dhe në anën tjetër jemi në periudhën e një faze më të nxehtë edhe të kohës dhe në fazën e pushimeve. Besoj që vjeshta është një moment më i përshtatshëm për mbajtjen e zgjedhjeve në kuadër të Partisë Demokratike”, ka theksuar Krasniqi.

I pyetur nëse ka ndikuar lirimi i Fatmir Limajt për shtyrjen e këtyre zgjedhjeve brenda partisë, Krasniqi ka mohuar një gjë të tillë, duke shtuar se lirimi i tij vetëm do t’i përshpejtoj zgjedhjet brenda partisë.

“Jo nuk do të thoja, përkundrazi lirimi nga aktakuzat i nënkryetarit të Partisë Demokratike, Fatmir Limaj veç ka krijuar mundësi për një aktivitet dhe për një përgatitje më të shpejt të zgjedhjeve në kuadër të partisë”, ka thënë ai.

Ndërkohë për mundësinë e futjes në garë të ndonjë kundërkandidati tjetër ndaj lideri aktual Hashim Thaçi, sekretari Krasniqi ka thënë se nuk është diskutuar kjo çështje, por se, sipas tij, mund të ndodh të ketë kundër kandidat.

“Nuk kemi biseduar për këtë çështje, në Partinë Demokratike nuk është biseduar për këtë çështje. Më shumë është çështje e mediave. Por në çdo parti politike nëse ka të interesuar pse jo edhe ajo mund të ndodh”, ka deklaruar ai.

Nga ana, tjetër analistët në vend vlerësojnë se kësaj partie i mungon një demokratizim i brendshëm.

Ardian Arifaj nga KIPRED ka thënë se e para që vërehet është se me marrjen e pushtetit pas zgjedhjeve të vitit 2007, Partia Demokratike e Kosovës pothuajse e tëra ka kaluar në institucionet shtetërore në qeverisje dhe se askush nuk është marrë me të duke mbetur kështu shumë prapa. Prandaj, sipas tij, ajo edhe është vonuar me obligimet që i ka si parti, si; zgjedhjet e brendshme dhe procese të tjera të cilat do ta fuqizonin demokracinë brenda partisë.

“Në të vërtet, PDK-ja nuk dallon shumë prej partive politike në demokratizimin e brendshëm. Tek të gjitha partitë vërehen mangësi, ndonëse janë të vetëdijshëm që të reformohen përbrenda. Edhe kemi vërejtur që krejt kjo vjen si pasoj e mos funksionimit të duhur të zyrës për regjistrim dhe verifikim të partive politike në KQZ-së. Për shkak se kjo zyre nuk ka kapacitete - resurse njerëzore, madje profesionale që të përfundoj punën vet mirë. Atëherë po krijohet një hapësirë që partitë tjera po e abuzojnë dhe po e keqpërdorin”, ka theksuar Arifaj.

Ai ka thënë se që para zgjedhjeve 2010, PDK-ja ka mbajtur një kuvend pa i mbajtur zgjedhjet nëpër degë të saj, siç kërkohet me dokumentet e PDK-së, duke shkelur vet rregullat e partisë, shkelje këto që janë lejuar edhe prej vetë KQZ-së, institucion ky përgjegjës, i cili do të duhet t’i obligonte partitë, në këtë rast edhe PDK-në, t’i respektonte rregullat dhe ligji, para se të certifikohej për të marr pjesë në zgjedhje.

Analisti, Behlul Beqaj nëpërmjet postës elektronike, ka thënë se PDK është shembull i diktaturës partiake në skenën politike të Kosovës.

“Partia me madhe është shembulli më i madh i diktaturës partiake në Kosovë. Këtë e dëshmoi në zgjedhjet e kaluara kur delegatet me mandate të skaduar e zgjodhën me aklamacion për kryetarë të partisë, kandidatin me mandat të skaduar. Për këtë ka pas përgjegjësi edhe ICO dhe KQZ, meqë është dashur të respektohet; ligji dhe rregulloret, të cilat janë shkelur. Por, si duket, kjo po i konvenon atyre që qeverisin me Kosovën përmes kryetarit të PDK-së, përkatësisht kryeministrit Hashim Thaçi”, ka thënë Beqaj.

Se a ka ndikuar lirimi i Limajt në shtyrjen e kuvendit, Beqaj ka thënë se ka shumë të pakënaqur në këtë parti, por ai ka shtuar se kjo parti mund të përfundoj si partia e Enver Hoxhës, duke aluduar në Partinë e Punës së Shqipërisë.

“Situata është konfuze. Ka shume rrymime dhe pakënaqësi, por me rëndësi është se disa anëtarë me ndikim kanë filluar të këndellen dhe të kuptojnë se me këtë politikë PDK mund të përfundoj si partia e Enver Hoxhës. Ndërrimi i liderit partiak është domosdoshmëri, nëse mendojnë që kjo parti të mbetet vendimtare në proceset e ardhme”, ka theksuar ai.

Sipas tij, në një parti ku çdo gjë fillon e përfundon në zyrën e kryetarit çdo gjë tjetër mund të ketë, përpos demokracisë.

Edhe pse parashihet me rregulloren e KQZ-së mbajtja e kuvendit të rregullt zgjedhor, të cilit i paraprijnë zgjedhjet nëpër degët e partisë, një gjë të tillë nuk e ka bërë PDK-ja. Ky subjekt politik, në vitin 2010, ka mbajtur një kuvend pa kurrfarë zgjedhje nëpër degë, gjatë të cilit, me aklamacion, ka zgjedhur për kryetar të saj, Hashim Thaçin.

Edhe pse ky kuvend nga shumë analistë është konsideruar si një kuvedën farsë, KQZ-ja ka heshtur duke lejuar PDK-në që të marr pjesë në zgjedhjet e vitit 2010. Edhe pse, disa herë, është provuar që të kontaktohet me telefon, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, për të marrë komentet e saj në lidhje me këtë çështje, një gjë e tillë ka qenë e pamundur. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›