E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDU, firmë ligjore britanike për çështjen çame



Partia për Drejtësi dhe Unitet priti dje përfaqësues të një prej firmave ligjore më prestigjioze britanike, me qëllim njohjen e çështjes çame dhe ndjekjen ligjore të saj në gjykatat ndërkombëtare të drejtësisë. Përfaqësuesit e firmës britanike u takuan me krerët e PDU-së, historianë shqiptarë si dhe do të vizitojnë Jugun e Shqipërisë për njohjen e kësaj çështje. PDU ka premtuar ndjekjen ligjore të kësaj çështjeje në nivel ndërkombëtar deri në zgjidhjen e plotë të çështjes çame.

Çështja çame mund të ndiqet ligjërisht në gjykatat ndërkombëtare të drejtësisë nga një prej firmave ligjore më prestigjioze britanike, e njohur për sukseset e saj në këtë fushë. Partia për Drejtësi dhe Unitet ka kontaktuar firmën në Londër dhe dje priti në Tiranë përfaqësuesit e kësaj firme ligjore me qëllim njohjen e çështjes çame dhe krijimin e dosjes së domosdoshme për ndjekje ligjore të kësaj çështjeje në gjykatat ndërkombëtare.

Gjatë paradites së djeshme, krerët e PDU-së, me kryetar Shpëtim Idrizin, u takuan me përfaqësuesit e kësaj firme ligjore, ku në takim ishin të pranishëm edhe historianët Pëllumb Xhufi, Beqir Meta, Ahmet Mehmeti etj., për të njohur aspektin historik të gjenocidit mbi popullsinë çame gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe sfondin e ngjarjeve pararendëse. Gjatë pasdites ata do të takohen me juristë që janë marrë me çështjen çame, si Mentor Nazarko etj. për të njohur kuadrin ligjor grek dhe ndërkombëtar dhe për të arritur në përpunimin e një pakete zgjidhjesh juridike. Sipas njoftimit të ardhur nga PDU-ja, përfaqësuesit e kompanisë prestigjioze ligjore do të jenë në qytetin e Vlorës ditën e sotme ku do të dëgjojnë dëshmitarë okularë të gjenocidit mbi popullsinë çame. Në fund të këtyre takimeve, ditën e diel, kryetari i Partisë Drejtësi dhe Unitet do të mbajë një konferencë për shtyp për të shprehur arritjet e këtyre takimeve dhe për të paralajmëruar nisjen e ndjekjes ligjore të zgjidhjes së çështjes çame.

Firma prestigjioze britanike është një ndër më të njohurat në arenën e të drejtës ndërkombëtare për çështje të gjenocidit, spastrimit etnik dhe pronësisë. Ajo është marrë me zgjidhje ligjore të këtyre problemeve në raste si Kosova, Kroacia, Bosnjë-Hercegovina si edhe Kamboxhia me Kmerët e Kuq.

“Partia Drejtësi dhe Unitet, besnike në premtimin e saj përpara qytetarëve shqiptarë, për zgjidhjen e çështjeve kombëtare e në veçanti për zgjidhjen e çështjes çame, zotohet se do ta çojë deri në fund ndjekjen ligjore për këtë çështje të pazgjidhur për më shumë se gjysmë shekulli në Strasburg për çështjen e pronave dhe nëse është e nevojshme, në Hagë, për çështjen e gjenocidit”, - thuhet në njoftimin e PDU-së. Firma ligjore angleze pritet të njihet nga afër me çështjen çame e më pas do të vendosë nëse do të përfaqësojë këtë çështje në gjykatat ndërkombëtare të drejtësisë ku do të kërkohet e drejta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›