PEKIN – Gjermania paralajmëron Kinën për qëndrimin ndaj Rusisë

PEKIN, 22 qershor /ATSH-DPA/ – Zëvendëskancelari gjerman, Robert Habeck ka paralajmëruar sërish qeverinë kineze për pasojat ekonomike të mbështetjes së saj për Rusinë në luftën kundër Ukrainës.
”Interesat gjermane dhe evropiane të sigurisë preken drejtpërdrejt nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës”, tha sot në Pekin Habeck, i cili shërben edhe si ministër i ekonomisë së Gjermanisë, në një takim me përfaqësuesit e qeverisë kineze për çështjet klimatike.
Pala kineze udhëhiqej nga homologu i Habeck, Zheng Shanjie, kryetar i Komisionit të fuqishëm Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës (NDRC).
Autoriteti ka për detyrë të drejtojë zhvillimin e ekonomisë kineze.
”Marrëdhënia jonë, marrëdhënia jonë e drejtpërdrejtë, tashmë është ndikuar negativisht”, theksoi ai.
Në mosmarrëveshjen tregtare mbi tarifat për makinat elektrike të lira kineze, Habeck i bëri thirrje palës kineze që t’i marrë seriozisht gjetjet e Komisionit Evropian.
Autoriteti i Brukselit akuzon qeverinë kineze për subvencione të padrejta dhe ka kërcënuar se do të vendosë tarifa të larta.
Kina u hakmor duke shpallur një hetim antidumping për produktet e importuara nga Bashkimi Evropian, që përfshin mishin e derrit dhe nënproduktet e tij.
Habeck paralajmëroi kundër barrierave tregtare dhe mbylljes së tregjeve, por edhe kundër konkurrencës së pandershme me favorizimin e shtetit ndaj kompanive.
”As Gjermania dhe as Kina nuk mund të kenë ndonjë interes në këtë”, tha ai./ a.jor.