E Enjte, 5 Nëntor 2026

PL: Shëndetësia prioritet, jo propagandë

TIRANË, 26 tetor /ATSH/ Partia e Lirisë ka reaguar sot për gjendjen e shëndetësisë përmes sekretares për familjen dhe kundër shpopullimit, Brunilda Haxhiu.

“Shëndetësia falas është mashtrimi më i madh i Rilindjes, jo vetëm se u përdor si propagandë për të fituar zgjedhjet, por sepse pati pasoja shkatërrimtare për sistemin shëndetësor dhe mbi të gjitha për shëndetin dhe jetën e qytetarëve. Dëshmi e dështimit të shëndetësisë falas janë vetë qytetarët që nuk marrin dot shërbim pa paguar. Por këtë e tregojnë edhe vetë të dhënat e INSTAT. Shpenzimet e shqiptarëve për shëndetin janë duke u rritur vit pas viti. Sipas INSTAT, shpenzimet për shëndetin arritën 467 milionë euro, me rritje rreth 64% në krahasim me vitin 2020 kur shpërtheu Covid-19. Teksa një valë e vrullshme shpopullimi ka kapluar vendin dhe popullsia ka rënë ndjeshëm, duhet të binte edhe shpenzimi për shëndetësinë. Në fakt, familjet shqiptare sot paguajnë shumë herë më shumë për shëndetësinë”, tha ajo.

Për sekretaren e PL-së, marrja e shërbimeve spitalore dhe aksesi në qendrat spitalore mbetet mision i pamundur për shkak të mungesës së aparaturave.

“Të aksesosh spitalet shtetërore shpesh herë është e vështirë edhe për shkak të mungesës së aparaturave mjekësore, ilaçeve dhe personelit mjekësor. Ndonëse shëndetësia zyrtarisht është falas, shumë shqiptarë preferojnë të kurohen në spitalet private. Shqiptarët shpenzojnë në spitale private sa 25% e totalit të buxhetit të shtetit për mjekësinë. Teksa Shqipëria ka numrin më të ulët të doktorëve në Europë, shumë familje dhe individë, detyrohen të përballojnë kostot për kurimin nga xhepi, si në blerjen e medikamenteve, apo shtrimit në spitale private. Faktori kryesor në rritjen e shpenzimeve për shëndetin është grabitja e fondeve të shëndetësisë, por edhe rritja e barrës së sëmundjeve në popullatë”, shton Haxhiu.

Nga kequshqyerja, te jeta sedentare, ka shumë faktorë që ndikojnë në pjesën e shëndetit të popullatës në Shqipëri dhe jo vetëm.

“Ndotja e lartë e ajrit, jeta sedentare, kequshqyerja po ndikojnë në përhapjen e sëmundjeve. Nga ana tjetër, plakja e popullsisë rrit më shumë nevojën për shërbime shëndetësore. Barra e sëmundjeve kronike në popullatë po shënon një rritje vjetore me 5%. Ndërsa shpenzimet e familjeve shqiptare për shëndetin rriten, nuk ka politika publike që të ndihmojnë në lehtësimin e kësaj barre financiare. Fondet për rimbursimin e barnave kanë ngelur në vendnumero ndër vite, ndërsa në 2024 u përkeqësuan, pasi ato zënë 1,6 % të totalit të shpenzimeve buxhetore”.

“Partia e Lirisë e ka shëndetësinë prioritet dhe jo propagandë, ndaj ka në programin e saj: Të rritë shpenzimet për shëndetësinë në mesataren e rajonit në nivelin 6% të PBB. Të dyfishojë pagat e mjekëve dhe infermierëve duke i dhënë fund largimit dramatik të tyre nga vendi. Pasurimin e tregut të ilaçeve me shumë më tepër ilaçe se sa aktualisht nga kompani farmaceutike prestigjoze. Konsolidimi dhe zbatimi i sistemit të referimit për t’i dhënë fund kaosit, pritjes së gjatë të pacientëve që i hap rrugë korrupsionit. Do të bllokojmë të gjitha koncensionet korruptive në shëndetësi, që rrëmbejnë taksat e shqiptarëve”, përfundon Haxhiu.

/e.i/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›