E Shtunë, 31 Tetor 2026

PNDSH mohon djathtizmin e PDK-së, ende mbajnë fotot e Enverit

Partia Nacionale Demokratike Shqiptare konsideron se djathtizmi është vlerë politike dhe kulturore e kultivuar për kohë të gjatë dhe e mbajtur gjallë me shumë mund e me shumë viktima në Kosovë dhe më gjerë.

“Ne konsiderojmë se djathtizmi është trashëgimi shumë e çmuar e mendimit politik shqiptarë dhe është e do të mbetet bazë e frymëzim që i duhet edhe gjeneratave të reja të Kosovës. Për ne kjo vlerë është e shenjtë të cilën e kemi ruajtur me xhelozi dhe për të cilën jemi flijuar pandalshëm nëpër shumë vite”, thuhet në një deklaratë të PNDSH-së.

Gjithashtu PNDSH si parti e djathtë me traditë shtatë deceniesh, konsideron se më shumë djathtizëm në Kosovë është më mirë për demokracinë e shtetit tonë, më mirë për integrimet shqiptare, më mirë për bashkimin e Kosovës më Shqipërinë dhe është më mirë për integrimet tona në Bashkimin Evropian.

Mirëpo, PNDSH është e bindur se “kur një parti politike në Kosovë sikundër është Partia Demokratike e Kosovës me trashëgimi të majtë, riprofilizohet në formë si e djathtë, e bënë këtë jo pse është vërtetë e djathë, jo pse vërtet ka ndryshuar kursin përmbajtësisht, por e bën këtë sepse janë qytetarët e Kosovës ata të cilët kanë shtyrë këtë dhe partitë e tjera si kjo, ta kuptojnë se majtizmi në Kosovë nuk ka gjasa, se majtizëm në Kosovë do të thotë më pak integrime mbarëshqiptare, majtizëm në Kosovë do të thotë më larg Shqipëri nga Kosova dhe gjithsesi më larg nga integrimet në BE”, raporton Koha. 

“Me përgjegjësi prej demokratëve djathtistë dhe me traditë si ndër djathtistët e parë në gjithë Evropën Lindore, ne si parti konsiderojmë se PDK-së dhe simotrave të tjera, që pretendojnë djathtizmin vetëm tani, pas shumë e shumë historive majtiste, ju mbetet shumë punë për të dëshmuar përmbajtësisht atë që e thanë vetëm formalisht ditë më parë. Ne kemi të drejtë të konstatojmë kështu, sepse ata me djathtizmin deklarativ të pasinqertë e të vonuar, po e dëmtojnë këtë vlerë të çmuar të Kosovës.

Ne kemi të drejtë të konstatojmë kështu, sepse jo pak nga këta djathtistë deklarativë, ende i mbajnë fotot e liderit komunist Enver Hoxha në muret e shtëpive te tyre, ende publikojnë shkrime memoare e libra ku atij i thurin lavde dhe ende ju shkon muhabeti dhe lidhja e vetme me Tiranën ju mbetet kryemajtisti Edvin Rama”, thuhet në deklaratën e Kryetarit të PNDSH-së Bujar Abdullahu./Indeksonline/  

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›