PORTUGALI – Macron: Edhe BE do të vendosë tarifa hakmarrëse, nëse SHBA vendos tarifën 25% për aluminin dhe çelikun

PARIS, 28 shkurt /ATSH-DPA/ – Presidenti francez, Emmanuel Macron ka paralajmëruar SHBA-në se Bashkimi Evropian do të vendosë tarifa hakmarrëse, nëse Uashingtoni ndjek planin e tij për të vendosur një tarifë prej 25% për importet e aluminit dhe çelikut.
”Nëse këto tarifa konfirmohen, evropianët do të përgjigjen”, tha sot Macron gjatë një vizite në Portugali.
”Ne duhet të mbrohemi”, theksoi ai.
Duke folur në një konferencë për shtyp në Porto, ai theksoi nevojën për diplomaci, por bëri të qartë se Evropa nuk do të tërhiqet.
”Nëse në fillim të prillit, këto tarifa për produktet evropiane hyjnë në fuqi, ne do të duhet të përgjigjemi. Nuk mund të dukemi të dobët përballë masave të tilla”, tha ai.
Macron i kërkoi administratës së presidentit Donald Trump të rishqyrtojë duke paralajmëruar se masa do të dëmtonte interesat e përbashkëta gjeopolitike.
“Gjatë javëve të ardhshme, ne duhet t’i bindim ata se ky nuk është një vendim i mirë – për SHBA ose Evropë. Por nëse bëhet fjalë për këtë, ne do të reagojmë dhe do të marrim përgjegjësinë për të”, shtoi ai.
BE-ja i ka dënuar tarifat e propozuara, kur ato u shpallën dy javë e gjysmë më parë.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen u zotua për kundërmasa vendimtare dhe proporcionale, duke deklaruar se tarifat e paligjshme kundër BE-së nuk do të mbeten pa përgjigje.
“BE do të veprojë për të mbrojtur interesat e saj ekonomike. Ne do të mbrojmë punëtorët, bizneset dhe konsumatorët tanë”, tha ajo./ a.jor.