E Diel, 1 Nëntor 2026

PRAGË – Meloni dhe Babis kërkojnë ndryshime në rregullat e BE-së për kostot e energjisë

PRAGË, 29 shtator /ATSH/- Kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe kryeministri çek Andrej Babis u takuan sot në Pragë, ku diskutuan forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe çështje të rëndësishme të politikës së Bashkimit Evropian, sipas “Reuters”.

Në qendër të takimit ishte rritja e kostove të energjisë dhe propozimet që Italia dhe Çekia synojnë t’i paraqesin në samitin e ardhshëm të BE-së më 15 dhe 16 tetor.

Të dy vendet kërkojnë ndryshime në rregullat evropiane, që lidhen me çmimin e karbonit, me synimin për të kufizuar ndikimin e tyre në kostot e energjisë dhe te bizneset.

Një nga propozimet është shtyrja e zbatimit të një sistemi të ri evropian të çmimit të karbonit për karburantet e transportit dhe ngrohjes, i njohur si ETS2, i cili është planifikuar të nisë në vitin 2028.

Roma dhe Praga kërkojnë gjithashtu rishikimin e disa rregullave për emetimet e metanit dhe mënyrën se si funksionon tregu evropian i lejeve të emetimeve të CO₂.

Gjatë takimit u diskutua edhe Plani i Veprimit Itali–Çeki 2026–2030, që synon të përcaktojë fushat e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Plani përfshin ekonominë, mbrojtjen dhe sigurinë, infrastrukturën, kërkimin shkencor dhe inovacionin, migracionin dhe konkurrueshmërinë.

Dy qeveritë planifikojnë gjithashtu të nisin Vitin e Kulturës Itali–Çeki 2027–2028, me aktivitete për të promovuar lidhjet kulturore mes dy vendeve.

Meloni dhe Babis pritet t’i paraqesin propozimet e përbashkëta për energjinë dhe tregun e karbonit në diskutimet e liderëve të BE-së në tetor. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›