E Diel, 1 Nëntor 2026

PROJEKTLIGJ “PËR ORGANIZIMIN, FUNKSIONIMIN, PROCEDURAT DHE DETYRAT E KOMITETIT SHQIPTAR TË BIRËSIMIT”

 
 P R O J E K T L I GJ 

PËR

ORGANIZIMIN, FUNKSIONIMIN, PROCEDURAT DHE DETYRAT E  KOMITETIT SHQIPTAR TË BIRËSIMIT

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:
 

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Objekti

Ky ligj përcakton rregullat e organizimit, të funksionimit, procedurat dhe detyrat e Komitetit Shqiptar të Birësimit.

Neni 2
Qëllimi

Ky ligj ka për qëllim:

a) mbrojtjen e fëmijës, nëpërmjet vendosjes së përhershme në një familje birësuese;

b) marrjen e masave, që birësimet, vendase dhe ndërvendase,  të bëhen në interesin më të lartë të fëmijës, i cili është mbizotërues ndaj çdo interesi tjetër;

c) krijimin i një sistemi bashkëpunimi, brenda dhe jashtë vendit, për marrjen dhe respektimin e masave mbrojtëse, që parandalojnë dështimin e birësimit, rrëmbimin, shitjen ose trafikimin e fëmijëve;

ç) sigurimin e bashkëpunimit me autoritetet vendore, autoritetet qendrore të vendeve të tjera apo organizatave, të miratuara prej tyre, për mbarëvajtjen e periudhës pasbirësuese.

Neni 3

Përkufizime

Në kuptim të këtij ligji, termat e mëposhtme kanë këtë kuptim:

1. “Birësim” nënkupton procedurën, administrative dhe gjyqësore, nëpërmjet së cilës, fëmijës, që është privuar ose jo mjedisi familjar, i sigurohet një familje alternative, me të drejta dhe detyrime të njëjta me prindërit biologjikë.

2. “Birësues” nënkupton personin/personat, që, nëpërmjet birësimit, marrin fëmijë, të privuar ose jo nga mjedisi familjar, duke i trajtuar si fëmijë të lindur prej tyre.

3. “I birësuar” nënkupton fëmijën e privuar ose jo nga mjedisi familjar, i cili, nëpërmjet birësimit vendoset në një familje tjetër, për t’u rritur dhe edukuar nga birësuesit, si të ishte fëmija i tyre biologjik.

4. “Familje biologjike” nënkupton prindërit, që e kanë lindur fëmijën, të dy së bashku ose një i vetëm, të martuar ose të pamartuar.

5. “Përshtatshmëri” nënkupton aftësinë e aplikantit për të qenë birësues, e vlerësuar nga Komiteti Shqiptar i Birësimit.

6. “Ndërmjetësim” nënkupton veprimtarinë e agjencive të licencuara për vendosjen e kontakteve ndërmjet aplikantëve birësues dhe organeve kompetente të birësimit.

7. “Agjenci ndërmjetësuese” nënkupton organizatat jofitimprurëse, vendase dhe të huaja,  të licencuara ose të miratuara, nga organet kompetente të birësimit.

8. “Periudha e provës” nënkupton procesin e bashkimit të aplikantit birësues dhe të fëmijës, pas pëlqimit të dhënë nga komiteti, për një periudhe kohe deri në 3 muaj, gjatë së cilës verifikohet përshtatshmëria e kësaj marrëdhënieje.

9. “Konventa e Hagës”  nënkupton konventën nr.33, “Për mbrojtjen e fëmijëve dhe bashkëpunimin për birësimet jashtë vendit”.

      
KREU II

KOMITETI SHQIPTAR I BIRËSIMIT

Neni 4

Detyrat e Komitetit Shqiptar të Birësimit

1. Komiteti Shqiptar i Birësimit është autoriteti qendror në fushën e birësimit, vendas dhe ndërvendas. Komiteti shqyrton dhe vendos për përshtatshmërinë e aplikantit birësues dhe jep pëlqimin për realizimin e çdo birësimi.

2. Komiteti Shqiptar i Birësimit mbikëqyr, peridokisht, të gjitha rastet e birësimeve, duke bashkëpunuar me autoritetet qendrore të vendeve të tjera, ku është kryer birësimi.

Neni 5

Organizimi

1. Komiteti Shqiptar i Birësimit funksionon në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, në përputhje me konventën “Për të drejtat e fëmijës”, Konventën e Hagës dhe Kodin e Familjes.

2. Komiteti Shqiptar i Birësimit përbëhet nga:

a) këshilli drejtues;

          b) kryetari;

          c) sekretariati ekzekutiv.

3. Këshilli drejtues është organi më i lartë vendimmarrës i Komitetit Shqiptar të Birësimit dhe përbëhet nga kryetari i komitetit, një përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë, i ministrisë që mbulon fushën e shëndetësisë,  i ministrisë që mbulon fushën e arsimit dhe shkencës, Ministrisë së Punëve Jashtme, ministrisë që mbulon fushën e rendit publik, ministrisë që mbulon fushën e financave, ministrisë që mbulon fushën e çështjeve sociale, një pedagog i së drejtës familjare, në universitetin publik dhe një përfaqësues i shoqatës së jetimëve, i caktuar nga ministria, që mbulon çështjet sociale.

4. Kryetari i Komitetit Shqiptar të Birësimit drejton këshillin drejtues dhe sekretariatin ekzekutiv.

5. Sekretariati ekzekutiv i komitetit përbëhet nga specialistë të fushave të ndryshme dhe personeli i shërbimit, të cilët ndihmojnë këshillin drejtues në ushtrimin e funksioneve të veta. Veprimtaria e sekretariatit përcaktohet në këtë ligj dhe në rregulloren e brendshme të komitetit.

6. Struktura dhe organika e komitetit miratohen  nga Kryeministri, me propozimin e ministrit të Drejtësisë. Rregullorja e brendshme e Komitetit Shqiptar të Birësimit miratohet nga ministri i Drejtësisë, me propozimin e këshillit drejtues të komitetit.

Neni 6

Statusi i Komitetit Shqiptar të Birësimit

1. Kryetari i Komitetit Shqiptar të Birësimit emërohet nga Kryeministri, me propozimin e ministrit të Drejtësisë.

2. Këshilli drejtues funksionon si organ kolegjial, në bazë të legjislacionit shqiptar.

3. Specialistët e sekretariatit ekzekutiv gëzojnë statusin e nëpunësit civil, në përputhje me legjislacionin në fuqi për shërbimin civil.

4. Personeli i shërbimit emërohet nga kryetari i komitetit dhe gëzon të drejtat e detyrimet e parashikuara në Kodin e Punës.

Neni 7

Financimi

Komiteti Shqiptar i Birësimit ka buxhetin e vet dhe të ardhura të tjera, të siguruara nga pagesa e tarifave, për shërbimet e realizuara gjatë procedurës së birësimit.

Neni 8

Marrëdhëniet e Komitetit Shqiptar të Birësimit

1. Komiteti Shqiptar i Birësimit, në zbatim të Kodit të Familjes dhe të këtij ligji, bashkëpunon me:

a) ministrinë që mbulon çështjet sociale, për shkëmbime informacioni për respektimin e akteve, ligjore dhe nënligjore, në fushën e birësimit.

b) Inspektoratin e Ndihmës Ekonomike, Pagesës së Personave me Aftësi të Kufizuar dhe me shërbimet shoqërore, si autoritet i ngritur për kontrollin e zbatimit të legjislacionit dhe të standardeve të shërbimeve shoqërore.

c) me organet e institucioneve të mësipërme,  pranë njësive të qeverisjes vendore, si më poshtë vijon:

i) Sektorin e shërbimit social, i cili dërgon në Komitetin Shqiptar të Birësimit raporte periodike 6-mujore, për fëmijët e vendosur në kujdestari jashtë institucioneve.

ii) Institucionet e përkujdesjes sociale të fëmijëve, publike dhe private, të cilat dërgojnë në Komitetin Shqipëtar të Birësimit raporte periodike 6-mujore, për fëmijët, që kanë në institucionet e tyre, për afatet dhe arsyet e qëndrimit në institucion.

2. Komiteti Shqiptar i Birësimit ushtron kontrolle të vazhdueshme në institucionet e përkujdesjes për fëmijët, për të njohur gjendjen e fëmijëve, që plotësojnë kushtet për t’u birësuar. Ku vihen re shkelje të traktateve (marrëveshjeve) ndërkombëtare dhe të legjislacionit vendas në fushën e birësimeve, kryetari i komitetit i propozon sektorit të shërbimit social, masa disiplinore për drejtuesit e institucioneve shtetërore të përkujdesjes, deri në heqjen e licencës për institucionet private të përkujdesjes.                                               

Neni 9

Detyrat e këshillit drejtues të Komitetit Shqiptar të Birësimit

Këshilli drejtues i Komitetit Shqiptar të Birësimit ka këto detyra:

1. Vendos për përshtatshmërinë e aplikantëve  birësues.

2. Jep pëlqimin, me shkrim dhe në mënyrë kolegjiale, për birësimin e fëmijës nga aplikantët birësues, nisur nga interesi më i lartë i fëmijës.

3. Merr masat e nevojshme për të shmangur dështimin e birësimeve, përfitimet e padrejta, si dhe çdo lloj veprimtarie, që synon trafikimin e fëmijëve.

4. Cakton kohëzgjatjen, mënyrën dhe vendin, ku do të realizohet periudha e provës për përshtatshmërinë e birësuesve me të birësuarin.

5.  Miraton  projektbuxhetin e komitetit dhe propozon strukturën organike të tij.

6. Miraton programet e punës së komitetit dhe politikat përkatëse për përmirësimin e procedurave të birësimit.

7. Analizon, në fund të çdo viti, veprimtarinë, financiare dhe administrative,  të komitetit.

8. Propozon, për miratim, me urdhër të përbashkët të ministrit të Drejtësisë dhe  të ministrit të Financave, pagesat për shërbimet e kryera për birësim.

9. Përmbush detyrimet, që rrjedhin nga konventat dhe marrëveshjet ndërkombëtare, të ratifikuara, për të drejtat e fëmijëve në birësim.

10. Bën propozime për përmirësimin e legjislacionit në fushën e birësimit, në interes të fëmijës.

11. Vlerëson për çdo rast përfundimet për bashkimin birësues - i birësuar, që ka miratuar dhe mbikëqyr nëse birësimi i përgjigjet interesit më të lartë të fëmijës.

12. Licencon veprimtarinë e organizatave jofitimprurëse vendase në fushën e ndërmjetësimit për birësim, në përputhje me kërkesat e akteve ndërkombëtare dhe të këtij ligji.

13. U kërkon agjencive, vendase dhe të huaja, informacion për gjendjen e fëmijës së birësuar, në afate të përcaktuara në marrëveshjen e nënshkruar me to.

14. Nxit bashkëpunimin ndërmjet autoriteteve qendrore të vendeve të tjera, si dhe hartimin e marrëveshjeve dypalëshe me agjencitë e huaja ndërmjetëse.

15. Miraton veprimtarinë e agjencive të huaja, që punojnë në fushën e birësimit në për Shqipëri.

16. Informohet për veprimtarinë e agjencive të licencuara, pas kontrolleve të ushtruara nga strukturat e komitetit, dhe, kur vëren se ato kanë kryer shkelje të detyrimeve ligjore, merr masa administrative, deri në heqjen e licencës.

Neni 10

Emërimi në detyrë i kryetarit të Komitetit Shqiptar të Birësimit

Kryetari i Komiteti Shqiptar të Birësimit emërohet shtetasi shqiptar që përmbush këto kushte:

1. Të ketë zotësi të plotë për të vepruar.

2. Të ketë arsimin e lartë, si rregull juridik, shkencat sociale ose pedagogji.

3. Të ketë marrë një diplomë nga një program kualifikimi afatgjatë universitar, në fushën e të drejtave të fëmijëve.

4. Të ketë kontribuar të paktën 3 vjet si ekspert në fushën e të drejtave të fëmijëve.

5. Të mos ketë qenë i dënuar për kryerjen e një vepre penale dhe të gëzojë reputacion të mirë.

Neni 11

Detyrat e kryetarit të Komitetit Shqiptar të Birësimit

Kryetari i Komitetit Shqiptar të Birësimit drejton veprimtarinë e këshillit drejtues dhe të sekretariatit ekzekutiv dhe ka këto detyra:

a) Thërret këshillin drejtues në mbledhje, të zakonshme dhe të jashtëzakonshme, dhe përcakton rendin e ditës.

b)  Drejton mbledhjet e këshillit drejtues.

c) Nënshkruan vendimet e marra në emër të këshillit drejtues dhe të institucionit, që përfaqëson.

ç) Vërteton përputhjen e birësimit ndërvendas me dispozitat e konventës.

d) Nënshkruan marrëveshje me institucione analoge jashtë vendit, me agjenci, vendase dhe të huaja, që  ndërmjetësojnë në fushën e birësimit.

dh) Raporton për veprimtarinë e sekretariatit ekzekutiv, përpara këshillit drejtues, dhe për veprimtarinë e komitetit, përpara ministrit të Drejtësisë.

e) Përfaqëson komitetin në marrëdhënie me institucione të tjera, brenda dhe jashtë vendit.

ë) Emëron ose largon nga detyra personelin e sekretariatit ekzekutiv, në përputhje me ligjin për statusin e nëpunësit civil dhe Kodin e Punës.

Neni 12

Largimi nga detyra i kryetarit të Komitetit Shqiptar të Birësimit

Kryetari i Komitetit Shqiptar të Birësimit largohet nga detyra kur:

a)  shkel kompetencat e parashikuara në këtë ligj;

b) dënohet nga gjykata me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;

c)  bëhet i paaftë për të kryer detyrën për shkak sëmundjeje;

ç) jep dorëheqjen.

Neni 13

Detyrat e sekretariatit ekzekutiv të Komitetit Shqiptar të Birësimit

Sekretariati ekzekutiv i Komitetit Shqiptar të Birësimit kryen këto detyra:

1. Harton dhe administron listat e fëmijëve, që mund të birësohen, brenda ose jashtë vendit.

2. Pranon kërkesat e paraqitura nga shtetas, shqiptarë ose të huaj, rezidentë në Republikën e Shqipërisë, që dëshirojnë të birësojnë fëmijë, dhe ndihmon në plotësimin e dokumentacionit.

3. Kujdeset për t’u dhënë këshillat e nevojshme personave, pëlqimi i të cilëve kërkohet për birësim, dhe jep të dhëna në kohë për pasojat e pëlqimit të tyre dhe të birësimit.

4. Bashkëpunon me institucionet, publike dhe private, brenda vendit, për të siguruar mbrojtjen e interesave të fëmijëve, që janë në këto institucione.

5. Shqyrton dokumentacionin e paraqitur nga aplikantët birësues.

6. Siguron informacion të hollësishëm për prejardhjen e fëmijës, përfshirë prejardhjen kombëtare, fetare, kulturore dhe gjuhësore.

7. Realizon intervista me aplikantët birësues dhe përgatit studimin për ta.

8. Organizon këshillime, seminare dhe veprimtari të tjera në fushën e birësimit .

9. I kërkon sektorit të shërbimit social, pranë njësive të qeverisjes vendore dhe agjencive ndërmjetëse, të dhëna për  gjendjen e fëmijës së birësuar.

10. Realizon intervista për marrjen e mendimit/pëlqimit të fëmijës për birësimin, sipas parashikimeve të nenit 15, të këtij ligji.

11. Ushtron kontrolle në institucionet e përkujdesjes, publike dhe private, për fëmijët, që plotësojnë kushtet për t’u birësuar, dhe verifikon raportet periodike, të paraqitura prej tyre në komitet për gjendjen e fëmijëve.

12. Mbikëqyr veprimtarinë e agjencive ndërmjetësuese për përbërjen, funksionimin dhe gjendjen financiare të tyre.

KREU III

PËRGATITJA E DOKUMENTACIONIT BIRËSUES

Neni 14

Paraqitja e kërkesës

1. Shtetasit shqiptarë, që dëshirojnë të birësojnë fëmijë shqiptarë, i drejtohen, drejtëpërdrejt, Komitetit Shqiptar të Birësimit. Ata mund të birësojnë vetëm fëmijë,  emrat e të cilëve janë në listat e komitetit.

2. Shtetasit e huaj mund t’i drejtohen Komitetit Shqiptar të Birësimit vetëm nëpërmjet autoriteteve qendrore kompetente ose agjencive ndërmjetëse të vendit të tyre, të njohura si të tilla nga komiteti.

3. Shtetasit e huaj, rezidentë prej dy vjetësh në Republikën e Shqipërisë, mund t’i drejtohen, drejtpërdrejt, Komitetit Shqiptar të Birësimit, vetëm nëse legjislacioni i tyre kombëtar e lejon birësimin.

4. Shtetasit shqiptarë, rezidentë jashtë Republikës së Shqipërisë, mund t’i drejtohen, drejtpërdrejt, Komitetit Shqiptar të Birësimit, me kusht që vendimi gjyqësor shqiptar i birësimit të sjellë pasoja juridike në vendin e tij të rezidencës.

Neni 15

Mendimi/pëlqimi i fëmijës, që birësohet

1. Kur fëmija  ka mbushur moshën 10 vjeç, birësimi kryhet vetëm kur Komiteti Shqiptar i Birësimit ka marrë mendimin e tij dhe pasi siguron se:

a)     fëmija është këshilluar dhe informuar për pasojat e birësimit dhe të dhënies së mendimit të tij për birësimin;

b)     janë marrë parasysh mendimet dhe dëshirat e fëmijës, kur ato janë në interes të tij;

c)     mendimi i fëmijës është dhënë në mënyrë të vullnetshme dhe është dokumentuar apo evidentuar me shkrim, sipas formës së përcaktuar nga komiteti;

ç) mendimi nuk është dhënë kundrejt pagesës apo çdo lloj kompensimi tjetër.

2. Kur fëmija ka mbushur moshën 12 vjeç, për birësim kërkohet pëlqimi i tij, në përputhje me kërkesat e tjera të pikës 1, të këtij neni.

Neni 16

Legjislacioni,  që  zbatohet

1. Për fëmijën e huaj, që ndodhet në Republikën e Shqipërisë, në gjendje faktike braktisjeje, për të cilin kërkohet një ndërhyrje emergjente ligjore, zbatohet legjislacioni shqiptar në fuqi.

2. Shtetasi shqiptar, që dëshiron të birësojë një fëmijë me shtetësi të huaj, duhet të përmbushë kërkesat e Kodit të Familjes, të këtij ligji si dhe ato të ligjit të vendbanimit të fëmijës. Kërkesa i drejtohet Komitetit Shqiptar të Birësimit.

3. Shtetasi shqiptar, që ka dhe një shtetësi tjetër të huaj dhe banon në mënyrë të përhershme jashtë Republikës së Shqipërisë, në rast birësimi të një fëmije shqiptar, duhet të përmbushë kërkesat përkatëse ligjore të birësimit të vendbanimit të përhershëm.

Neni 17

Birësimi i fëmijës refugjat

1.            Nuk mund të kryhet birësimi i një fëmije refugjat, nëse:

a) ka shpresë të arsyeshme për gjetjen e familjes së tij dhe për bashkimin familjar, në përputhje me interesin më të lartë të fëmijës;

b) nuk ka kaluar dy vjet nga data e marrjes së azilit, kohë gjatë së cilës janë ndërmarrë të gjithë masat për gjetjen e prindërve ose anëtarëve të tjerë të familjes së fëmijës;

c) është në kundërshtim më interesin e fëmijës;

ç) është i mundshëm në një të ardhme të afërt rikthimi, i sigurtë dhe me dinjitet, në vendin e origjinës, dhe nëse mundësitë e fëmijës në vendin e origjinës janë më të mira sesa birësimi në vendin e azilit ose në një vend të tretë.

2. Në procesin e birësimit të fëmijëve refugjatë, Komiteti Shqiptar i Birësimit bashkëpunon me strukturën përkatëse shtetërore, që mbulon çështjet e refugjatëve.

Neni 18

Dokumentacioni i aplikantit birësues

Aplikanti birësues paraqet në Komitetin Shqiptar të Birësimit dokumentacionin e mëposhtëm:

1.  Kërkesën me motivimin e birësimit.

2. Të dhënat personale për marrëdhëniet ndërpersonale të anëtarëve të familjes, informacione për pjesëtarët e familjes dhe qëndrimin e tyre ndaj birësimit.

3. Të dhënat për gjendjen civile, si certifikatën e lindjes, certifikatën e martesës, certifikatën e zgjidhjes së martesës ose të vdekjes së bashkëshortit.

4. Vërtetimin e gjendjes gjyqësore.

5. Të dhëna për fëmijërinë dhe mënyrën e rritjes.

6. Raportin mjekësor dhe historinë mjekësore të familjes.

7. Vërtetime të punësimit, të të ardhurave dhe të pasurisë së paluajtshme.

8. Vërtetimin e pronësisë së banesës dhe të dhëna për kushtet e banimit.

9. Vërtetimin për gjendjen ekonomike dhe sociale.

10. Vërtetimin, nga organet e njësisë së qeverisjes vendore të vendbanimit, për sjelljen dhe figurën morale.

11. Deklaratën e gadishmërisë së familjarëve dhe të miqve në mbështetje të aplikantit birësues.

Neni 19

Studimi i aplikantit birësues

Pas shqyrtimit të kërkesës dhe të dokumenteve përkatëse nga sekretariati ekzekutiv, mbi të drejtën e aplikantit birësues për të birësuar, bëhet studimi i aftësisë së tij birësuese. Studimi i përgatitur i paraqitet këshillit drejtues për shqyrtim në mbledhjen e tij të radhës.

Neni 20

Regjistrimi në listat e Komitetit

Në listat e Komitetit Shqiptar të Birësimit regjistrohen ata fëmijë shqiptarë, për të cilët:

a) është deklaruar braktisja, me një vendim gjyqësor të formës së prerë;

b) është dhënë pëlqimi nga prindërit biologjikë;

c) është dhënë pëlqimi nga gjykata për fëmijët, që ndodhen në përkujdesje, sipas paragrafit të tretë, të nenit 246, të Kodit të Familjes.

Neni 21

Heqja nga listat e komitetit

Hiqen nga listat e Komitetit Shqiptar të Birësimit dhe nuk mund të birësohen fëmijët, kur:

a) është tërhequr pëlqimi i prindërve biologjikë për birësim, sipas Kodit të Familjes;

b) është vendosur nga gjykata, që fëmija të qëndrojë pranë prindërve biologjikë; me ndërhyrjen në proces të prindërve, nisur nga interesi më i lartë i fëmijës;

c) janë bërë madhorë;

ç) fëmija vdes;

d) fëmija mbi 12 vjeç kundërshton birësimin.

Neni 22

Dokumentacioni i fëmijës, që do të birësohet

1. Sekretariati ekzekutiv verifikon dhe vlerëson dokumentacionin, për çdo fëmijë, që do të birësohet, të përgatitur nga institucionet e përkujdesjes sociale ose të shërbimit social, pranë njësive të qeverisjes vendore. Vlerësimi i këtij dokumentacioni, ndihmon për gjetjen e familjeve të përshtatshme, për të përballuar nevojat e fëmijës.

2.            Dokumentacioni i fëmijës, që do të birësohet, përmban:

a) certifikatën e lindjes;

b) raportin për gjendjen psikologjike, fizike, emocionale dhe sociale të tij;

c) raportin për gjendjen shëndetësore ekzistuese dhe historikun mjekësor;

ç) mendimin e fëmijës, nëse ai ka mbushur 10 vjeç, duke patur parasysh aftësinë e tij për të arsyetuar. Kur fëmija ka mbushur moshën 12 vjeç paraqitet pëlqimi e vet;

d) certifikatat e prindërve të tij biologjikë, nëse ata njihen;

dh) raportin me të dhëna mbi historikun mjekësore të prindërve, nëse ato dihen, informacion për shtatzaninë dhe lindjen;

e) deklaratën me shkrim të prindit biologjik për pëlqimin, ose vendimin gjyqësor, që ka dhënë pëlqimin për birësimin e fëmijës, ose vendimin gjyqësor që e ka deklaruar fëmijën të braktisur;

ë) historikun e kalimit në kujdestari të fëmijës, nëse ka, dhe të dhëna për kushtet, në të cilat ka jetuar;

f)  hollësi rreth jetës dhe zakoneve të tij.

KREU IV

PROCEDURAT E BIRËSIMIT

Neni 23

Përparësia në birësim

1. Sekretariati ekzekutiv, për fëmijën, emri i të cilit është në listat e tij, propozon një familje birësuese shqiptare, të përshtatshme. Nëse kjo nuk është e mundur dhe kur emri i fëmijës ka qenë në listat e komitetit që prej 6 muajsh, aplikant birësues mund të jetë edhe një familje e huaj.

2.Në raste të veçanta, kur nga plotësimi i afatit të sipërpërmendur mund të dëmtohet shëndeti i fëmijës, nisur nga interesi më i lartë i tij, Komiteti Shqiptar i Birësimit mund të japë pëlqimin  për birësim dhe pa u përmbushur ky afat.

Neni 24

Shqyrtimi nga këshilli drejtues

Dokumentacioni i përgatitur nga aplikanti birësues për procedurën e birësimit të  fëmijës shqyrtohet nga këshilli drejtues, i cili:

a) vendos nëse aplikanti birësues është i përshtatshëm ose jo për të birësuar.

b) jep pëlqimin me shkrim për birësimin e fëmijës nga aplikanti birësues.

Neni 25

Periudha e provës

1. Me dhënien e pëlqimit për çdo birësim, sekretariati ekzekutiv përcakton kohëzgjatjen e periudhës së provës, e cila nuk mund të jetë më shumë se 3 muaj.

2. Në përfundim të periudhës së provës, sekretariati ekzekutiv përgatit raportin për përshtatshmërinë e aplikantëve birësues me fëmijën dhe  dokumentacionin e përgatitur ia dërgon  gjykatës.

3. Në rast se aplikantët birësues e kanë pasur fëmijën në kujdestari familjare për një periudhë më të gjatë se tre muaj dhe vërtetohet se kjo marrëdhënie ka qenë afektive, periudha e provës nuk është e domosdoshme.

Neni 26

Përmbajtja e dokumentacionit

Dosja, që i dërgohet gjykatës nga Komiteti  Shqiptar i Birësimit, përmban:

a)  dokumentacionin e përgatitur për aplikantin birësues;

b)  dokumentacionin e përgatitur për fëmijën, që do të birësohet;

c) vendimin për përshtatshmërinë e aplikantëve;

ç)  pëlqimin e këshillit drejtues për birësimin e fëmijës nga aplikantët;

d)  raportin e përshtatshmërisë së aplikantit me fëmijën.

KREU V

 BIRËSIMI NDËRVENDAS

Neni 27

Kushtet

Për birësimet ndërvendase, që do të shpallen në Republikën e Shqipëri, këshilli drejtues i komitetit verifikon:

a)  vlefshmërinë e dokumentacionit të aplikantëve birësues;

b) miratimin, nga organi kompetent i huaj, i përshtatshmërisë së aplikantëve birësues;

c) dokumentacionin, e plotë dhe të saktë, të aplikantëve;

ç) përputhjen e parimeve të legjislacionit  shqiptar me atë të shtetit të birësuesit;

d) Bashkëpunimin me autoritetet e vendit pritës, që birësimi të mos dështojë dhe fëmija të autorizohet të hyjë për të banuar përgjithmonë në shtetin pritës.

Neni 28

Dokumentacioni plotësues

Në birësimin ndërvendas, veç dokumenteve të parashikuara në nenin 27, të këtij ligji, Komiteti Shqiptar i Birësimit i dërgon  gjykatës:

 a) vërtetimin, se fëmija nuk ka patur mundësi të birësohet në Shqipëri për një afat prej 6 muajsh, me përjashtimin e parashikuar në pikën 2, të nenit 23, të këtij ligji.

b)  vërtetimin, se në vendin e aplikantëve, fëmija do të gëzojë të njëjtat të drejta si në Shqipëri dhe se  birësimi është i parevokueshëm.

Neni 29

Birësimi i fëmijës rezident jashtë vendit

Mund të birësohen nga shtetas shqiptarë ose rezidentë të huaj në Shqipëri, fëmijë, shqiptarë ose të huaj, rezidentë në shtete të tjera, që e kanë ratifikuar konventën e Hagës ose kanë lidhur marrëveshje dypalëshe me autoritetet kompetente a agjencitë, në përputhje me parimet e kësaj konvente, me kusht, që:

a) fëmija të jetë deklaruar i birësueshëm nga organi kompetent i huaj dhe të  jenë ndërprerë marrëdhëniet prindër-fëmijë;

b) të jetë dhënë autorizimi ose pëlqimi i nevojshëm nga autoriteti qendror i huaj ose nga ndonjë organ tjetër, që barazohet me të.

Neni 30

Procedura e birësimit ndërvendas

Shtetasit shqiptarë, që dëshirojnë të birësojnë fëmijë të huaj ose shqiptarë rezidentë jashtë Republikës së Shqipërisë, duhet t’i drejtohen, Komitetit Shqiptar të Birësimit, me kërkesë, së cilës t’i bashkëlidhin të  gjithë dokumentacionin e parashikuar në nenin 18, të këtij ligji.

Këshilli drejtues, pasi verifikon nëse ekzistojnë kushtet, vendos për:

a) përshtatshmërinë e aplikantëve birësues, duke patur parasysh të gjithë informacionin për identitetin e tyre, për familjen, gjendjen shoqërore dhe shëndetësore, si dhe ndryshimet kulturore a fetare të fëmijës.

b) dërgimin tek  autoriteti kompetent i huaj të dokumentacionit, të vendimit të përshtatshmërisë dhe të karakteristikave të fëmijës, që aplikanti do të dëshironte të birësonte.

Neni 31

Njohja e vendimit të huaj

Birësimi i shpallur në një vend të huaj, me kërkesën e shtetasve shqiptarë, do të prodhojë pasoja juridike në Republikën e Shqipërisë, nëse gjykata, në bazë të vërtetimit, të lëshuar nga Komiteti Shqiptar i Birësimit, vëren se janë zbatuar kriteret e parashikuara në nenin 4, të Konventës së Hagës dhe parimet e legjislacionit shqiptar në fuqi.

KREU VI

AGJENCITË NDËRMJETËSUESE

Neni 32

Fusha e veprimtarisë

1. Agjencitë ndërmjetësuese ushtrojnë veprimtarinë e tyre, ndërmjet Komitetit Shqiptar të Birësimit dhe autoriteteve kompetente të huaja në birësimet ndërvendase.

2. Agjencitë ndërmjetësuese mund të jenë vendase ose të huaja.

3. Veprimtaria e tyre rregullohet me këtë ligj.

Neni 33

Agjencitë ndërmjetësuese në fushën e birësimit

1. Agjencitë ndërmjetësuese vendase licencohen nga Komiteti Shqiptar i Birësimit për një afat dyvjeçar, duke përcaktuar territorin dhe shtetet për të cilat do të ndërmjetësojnë.

2. Agjencitë ndërmjetësuese të huaja njihen dhe miratohen nga Komiteti Shqiptar i Birësimit për një afat dyvjeçar, për ushtrimin e veprimtarisë në këtë fushë, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.

3. Agjencitë ndërmjetësuese, vendase ose të huaja, duhet:

a) të ndjekin vetëm qëllime jofitimprurëse, sipas kushteve të përcaktuara nga Komiteti Shqiptar i Birësimit.

b) të drejtohen dhe të kenë një personel me integritet moral dhe të kualifikuar në fushën e birësimit, me punonjës social,  psikologë dhe juristë.

c) të sigurojnë një administrim kontabël, transparent, për kostot e domosdoshme për realizimin e procedurës së birësimit.

ç) të mos paragjykojnë dhe të mos diskriminojnë aplikantët birësues, pavarësisht nga raca, origjina a bindjet e tyre fetare.

Neni 34

Detyrat e agjencive ndërmjetësuese

Agjencitë ndërmjetësuese kryejnë këto detyra:

a) Përgatisin dokumentacionin dhe studimin e aplikantëve birësues për birësimet ndërvendase dhe ia paraqesin atë Komitetit Shqiptar të Birësimit.

b) Realizojnë këshillime për aplikantët birësues për birësimin dhe pasojat e tij, si dhe i informojnë  ato për të drejtat dhe detyrimet e tyre.

c) Ndjekin procedurën e birësimit pas marrjes së vendimit të përshtatshmërisë, të dhënë nga Komiteti Shqiptar i Birësimit, duke ia dërguar të gjithë dokumentacionin autoriteteve ose agjencive kompetente të vendeve me të cilat kanë marrëdhënie.

ç) Marrin nga autoriteti i huaj propozimin për realizimin e takimin ndërmjet aplikantëve për birësim dhe fëmijës, që do të birësohet. Gjatë takimit duhet të paraqiten të gjitha informacionet e nevojshme për gjendjen shëndetësore të fëmijës, familjen biologjike dhe për përvojat e tij të jetës.

d) U japin shtetasve shqiptarë informacionin e nevojshëm për fëmijën, që do të birësojnë.

dh) Realizojnë takimin ndërmjet aplikantit birësues dhe fëmijës, që do të birësohet, duke ndërmjetësuar në këtë veprimtari.

e) Informojnë me shkrim, Komitetin Shqiptar të Birësimit, për rezultatin e takimit.

ë) Përgatitin raportin pas birësimit dhe japin informacione të hollësishme edhe për birësime të veçanta.

f) Ndërmjetësojnë për transferimin e fëmijës nga vendi i origjinës në vendin pritës dhe ndjekin procedurën për njohjen e vendimit.

Neni 35

Mbarimi i veprimtarisë së agjencisë

Veprimtaria e agjencisë  ndërmjetësuese mbaron:

a)  kur afati, për të cilin është dhënë licenca ose miratimi;

b) kur hiqet licenca ose miratimi, për shkak se ka shkelur kërkesat e ligjit ose kur kërkohet nga vetë agjencia;

c) kur ka kryer vepër penale;

ç) kur shteti i huaj i ka hequr autorizimin si agjenci ndërmjetësuese.

KREU VII

ADMINISTRIMI I DOKUMENTACIONIT

DHE DISPOZITA TË FUNDIT

Neni 36

Mbrojtja e të dhënave

1. Komiteti Shqiptar i Birësimit dhe agjencitë ndërmjetësuese duhet të marrin masa, organizative dhe teknike, të domosdoshme, për mbrojtjen e të dhënave personale në dokumenatacionin birësues, në përputhje me kërkesat e ligjit “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.

2. Punonjësit, publikë dhe privatë, që, për shkak të detyrës, kanë informacion për birësimin, detyrohen të ruajnë sekretin për të dhënat, që kanë të bëjnë me fëmijën, prindërit biologjikë dhe birësuesit.

Neni 37

E drejta për informim

1. Prindërit birësues dhe i birësuari, që ka arritur moshën madhore, mund t’i kërkojnë Komitetit Shqiptar të Birësimit të dhëna për origjinën e të birësuarit dhe historinë e tij.

2. Ky informacion mund të kufizohet ose të refuzohet në raste të veçanta, kur ka arsye se prej tij vijnë pasoja të rënda.

Neni 38

Dispozitë kalimtare

Punonjësit ekzistues, të cilët në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, punojnë në vende pune, të cilat vlerësohen si pjesë e shërbimit civil, janë nëpunës në periudhë prove tremujore dhe për ta zbatohen përcaktimet e bëra në nenin 14, të ligjit nr. 8549, datë 11.11.1999, “Statusi i nënpunësit civil”.

Neni 39
Shfuqizime

Ligji nr. 7650, datë 17.12.1992, “Për birësimin e të miturve nga shtetas të huaj dhe për disa ndryshime në Kodin e Familjes”, si dhe çdo dispozitë tjetër, që bie në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.

Neni 40
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I

JOZEFINA  TOPALLI

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›