E Shtunë, 31 Tetor 2026

PROJEKTLIGJ PËR TREGUESIT E KONSUMIT TË ENERGJISË DHE TË BURIMEVE TË TJERA, NGA PAJISJET PËR PËRDORIM SHTËPIAK, NËPËRMJET ETIKETIMIT DHE INFORMACIONIT STANDARD TË PRODUKTEVE

  

P R O J E K T L I GJ

 

 

PËR

TREGUESIT E KONSUMIT TË ENERGJISË DHE TË BURIMEVE TË TJERA, NGA PAJISJET PËR PËRDORIM SHTËPIAK, NËPËRMJET ETIKETIMIT DHE INFORMACIONIT STANDARD TË PRODUKTEVE

Në mbështetje të neneve 78 e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

 

V E N D O S I :

 

KREU  I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

 

Neni 1

Objekti

 

Ky ligj përcakton detyrimet për publikimin e informacionit të konsumimit të energjisë dhe të burimeve të tjera kryesore, veçanërisht nëpërmjet mënyrave të etiketimit e të informacionit për produktin, si dhe informacionit plotësues, për disa tipe pajisjesh për përdorim shtëpiak, duke i mundësuar konsumatorit zgjedhjen e pajisjeve, për përdorim shtëpiak, më eficente ndaj energjisë.

Neni 2

 

1.     Ky ligj zbatohet për tipet e pajisjeve të mëposhtme për përdorim shtëpiak, edhe në rast se ato shiten për përdorim joshtëpiak:

a)                     Frigorifer, ngrirës dhe kombinimi i tyre;

b)                     Makinë larëse rrobash, makinë tharëse dhe kombinimi i tyre;

c)                     Makinë larëse enësh;

ç)                    Furra;

d)            Pajisje ngrohëse uji dhe pajisje mbajtëse uji të ngrohtë;

dh)          Mjete/pajisje ndriçimi;

 e)           Pajisje me ajër të kondicionuar.

2.     Ky ligj nuk zbatohet për:

a)                     pajisjet për përdorim shtëpiak, të përdorura;

b)                     etiketa të tjera të fiksuara në pajisjet për përdorim shtëpiak, që, për arsye sigurie, japin informacion për

indikatorët e fuqisë.

Neni 3

 

Në kuptim të këtij ligji, me termat e mëposhtme do të nënkuptohen:

a)     “Tregtar”, shitësi me pakicë, i cili shet, jep me qira, ofron shitje me këste ose ekspozon pajisjen te përdoruesi i fundit;

b)     “Furnizues”, fabrikuesi ose përfaqësuesi i tij i autorizuar në Shqipëri ose çdo person tjetër, i cili vendos produktin në treg;

c)     “Skedë informative”, një tabelë standarde informacioni për pajisjen në fjalë;

ç)  “Burime të tjera kryesore” uji, kimikatet ose çdo substancë tjetër, që konsumohet nga një pajisje, në përdorim normal;

d) “Informacion plotësues”, çdo informacion tjetër, për efektivitetin e pajisjes, që lidhet me të ose ndihmon në vlerësimin e përdorimit të energjisë a të burimeve të tjera kryesore nga kjo pajisje.

KREU  II

KËRKESAT PËR INFORMACIONIN

 

Neni 4

 

1.     Informacioni, në lidhje me konsumimin e energjisë elektrike, të formave të tjera të energjisë, burimeve të tjera kryesore dhe informacioneve plotësuese sillen në vëmendje të konsumatorit nëpërmjet një skede informative dhe një etikete për pajisjen për përdorim shtëpiak, të ofruar për shitje, dhënie me qira, shitje me këste ose të ekspozuar për përdoruesin e fundit.

2.     Hollësitë për etiketën dhe skedën informative, për tipet e pajisjeve të parashikuara në këtë ligj, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Vendimi/et përcakton/ojnë, në mënyrë specifike:

a)                     përkufizimin e saktë të tipit të pajisjes, që përfshihet;

b)                     standardet e matjes dhe metodat që përdoren, për të përftuar informacionin referuar në nenin 1, të këtij ligji;

c)                     hollësitë, për dokumentacionin e kërkuar teknik, referuar pikës 3, të këtij neni;

ç) dizenjimin dhe përmbajtjen e etiketës, referuar pikës 1, të këtij neni, e cila duhet të ketë karaktere sa më uniforme;

d)  vendin ku etiketa do të fiksohet në pajisje. Sipas rastit, mund të parashikohet që etiketa të bashkëngjitet ose të printohet në paketimin e pajisjes në fjalë;

dh) përmbajtjen dhe, sipas rastit, formatin dhe hollësi të tjera, në lidhje me skedën informative ose informacionin referuar pikës 2, të nenit 5, të këtij ligji. Informacioni në etiketë është i përfshirë edhe në skedën informative.

3.     Dokumentacioni teknik hartohet në mënyrë të tillë, që të mundësojë vlerësimin, në mënyrë të mjaftueshme, të saktësisë së informacionit të dhënë në etiketë dhe skedën informative. Dokumentacioni teknik përfshin:

a)                     Një përshkrim të përgjithshëm të produktit;

b)                     Rezultatet e llogaritjeve të kryera në projektim, kur ato janë të përshtatshme;

c)                     Raportet e testeve dhe, kur është e mundur, edhe ato të kryera nga organi i autorizuar, referuar ligjit nr.9779,        datë 16.7.2007, “Për sigurinë e përgjithshme, kërkesa thelbësore dhe vlerësimin e  konformitetit të produkteve joushqimore”, si dhe akteve nënligjore, në zbatim të tij, ose nga trupa të regjistruara evropiane të vlerësimit të konformitetit;

ç) Informacionin e lartpërmendur edhe për modelet e ngjashme, në rastin kur vlerat janë përftuar nga këto modele të ngjashme.

4.     Furnizuesi harton dokumentacionin teknik, të përshkruar në  pikën 3, të këtij neni. Në këtë kuptim, ai mund të përdorë dokumentacionin teknik, të kërkuar nga rregullat teknike përkatëse të pajisjes, për përdorim shtëpiak, në fjalë. Furnizuesi e mban këtë dokumentacion në dispozicion, për qëllime kontrolli, për një periudhë 5-vjeçare nga prodhimi i produktit të fundit.

Neni 5

 

1.             Furnizuesi, i cili vendos në treg pajisjen për përdorim shtëpiak, siguron, sipas rastit, një ose disa etiketa, në përputhje me këtë ligj dhe aktet nënligjore, në zbatim të tij.

2.             Përveç etiketave, furnizuesi siguron skedën informative të produktit, në përputhje me këtë ligj dhe aktet nënligjore, në zbatim të tij. Skeda jepet në çdo broshurë të produktit. Kur broshura nuk është siguruar nga furnizuesi, ai i përfshin skedat në dokumentet e tjera, që shoqërojnë produktin, sipas legjislacionit në fuqi.

3.             Informacioni i dhënë në etiketë dhe në skedën informative duhet të jetë i saktë dhe jo çorientues. Furnizuesi është përgjegjës për saktësinë e etiketave e të skedave, që ai siguron.

4.             Publikimi i informacionit të dhënë në skedën informative ose etiketë konsiderohet i miratuar nga furnizuesi.

Neni 6

 

1.             Kur ekspozohet një pajisje për përdorim shtëpiak, tregtari bashkëngjit në të etiketën e përshtatshme, përkatëse, sipas pikës 2, të nenit 4, të këtij ligji, në pozicion të qartë dhe të dukshëm. Etiketa jepet në gjuhën shqipe.

2.             Furnizuesi i shpërndan tregtarit etiketat e nevojshme pa pagesë. Furnizuesit janë të lirë të zgjedhin sistemin e tyre të shpërndarjes së etiketave. Megjithatë, kur një tregtar bën kërkesë për etiketa, furnizuesi siguron shpërndarjen me përpikmëri të etiketave.

Neni 7

 

1.             Në rastet kur pajisjet përkatëse ofrohen për shitje, qira ose blerje me këste, me postë, me katalog ose ndonjë mënyrë tjetër, nëpërmjet së cilës konsumatorët potencialë nuk mund të shohin pajisjen e ekspozuar, konsumatorëve potencialë u sigurohet, përpara blerjes, informacioni kryesor, i specifikuar në etiketë ose në skedën informative.

2.             Në etiketën ose skedën informative përfshihet edhe informacioni për lëshimin e zhurmave në ajër, si edhe çdo informacion tjetër publik, që ka lidhje me pajisjen përkatëse, të parashikuar në legjislacionin përkatës në fuqi.

Neni 8

 

Nuk lejohet vendosja e etiketave, të markave, simboleve ose mbishkrimeve të tjera, në lidhje me konsumimin e energjisë, që nuk janë në përputhje me dispozitat e këtij ligji ose të akteve nënligjore, në zbatim të tij, të cilat mund të shkaktojnë konfuzion në treg dhe çorientojnë konsumatorin. Ky detyrim nuk zbatohet për skemat e etiketimit mjedisor.

Neni 9

 

Pajisjet shtëpiake, të përcaktuara nga ky ligj, vendosen në treg vetëm, nëse ato plotësojnë kërkesat e këtij ligji dhe të akteve nënligjore, në zbatim të tij.

KREU  III

MBIKËQYRJA E TREGUT

 

Neni 10

Struktura përgjegjëse e mbikëqyrjes së tregut

 

Detyrimi për kontrollin e zbatimit të dispozitave të këtij ligji, për informacionin e produkteve, në lidhje me efiçencën e energjisë, kryhet nga struktura përgjegjëse e mbikëqyrjes së tregut, në ministrinë që mbulon tregtinë, e parashikuar në ligjin nr.9779, datë 16.7.2008, “Për sigurinë e përgjithshme, kërkesat thelbësore dhe vlerësimin e konformitetit të produkteve joushqimore”.

Neni 11

Kompetencat e strukturës përgjegjëse të mbikëqyrjes së tregut

 

Struktura përgjegjëse e mbikëqyrjes së tregut, në ministrinë që mbulon tregtinë, ka këto kompetenca:

a)                     Urdhëron përgatitjen e etiketave dhe të skedave informative, në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe të akteve nënligjore, në zbatim të tij, vetëm kur ka të dhëna për të kundërtën;

b)                     Kërkon nga furnizuesi dokumentacionin teknik, kur ka arsye të dyshojë për pasaktësi në informacionin e etiketave ose të skedave informative;

c)                     Merr mostra dhe kryen teste të konformitetit për saktësinë e informacionit. Në rastet kur, në bazë të një raporti testimi, zbulohet se furnizuesi nuk ka dhënë informacionin e saktë ose ai është çorientues, të gjitha shpenzimet, për kryerjen e raportit të testimit, mbulohen nga furnizuesi;

ç) Urdhëron furnizuesin të marrë masa për të siguruar informacionin e saktë në etiketë ose skedën informative, brenda një afati kohor të përcaktuar;

d) Urdhëron, me shkrim, furnizuesin të ndalojë shkeljen, në rastet kur etiketa është bashkëngjitur në mënyrë të paligjshme;

 dh) Urdhëron tërheqjen nga tregu, ndalon shitjen ose lëvizjen e lirë të pajisjes, në rast se shkelja vazhdon, pra pajisja nuk përmbush detyrimet e përcaktuara në këtë ligj. Në këto raste struktura përgjegjëse e mbikëqyrjes së tregut njofton ministrinë përgjegjëse për tregtinë/industrinë, së bashku me shpjegimet për këto masa.

KUNDËRVAJTJET ADMINISTRATIVE

 

Neni 12

 

Shkeljet e dispozitave të këtij ligji, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen, si më poshtë vijon:

a)                              Për shkeljet e shkronjës “d”, të pikave 2, shkronjës “dh”, dhe 4, të nenit 4, me gjobë sa dhjetëfishi i çmimit për njësi të pajisjes përkatëse;

b)                              Për shkeljet  e neneve 4, pika 3, dhe 4, pika 2, shkronjat “c” e “d”, me gjobë sa tetëfishi i çmimit për njësi të pajisjes përkatëse;

c)                              Për shkeljet e pikës 3, të nenit 5, me gjobë sa pesëdhjetëfishi i çmimit për njësi, së pajisjes të ofruar te përdoruesi i fundit;

 ç) Për shkeljet  e neneve 5, pikat 1 e 2, dhe 7, pika 1, me gjobë sa tridhjetëfishi i çmimit për njësi të pajisjes përkatëse;

d)                              Për shkeljet e pikës 1, të nenit 6, me gjobë sa njëzetfishi i çmimit për njësi të pajisjes përkatëse, që i ofrohet konsumatorit;

 dh) Për shkeljet  e pikës 2, të nenit 7, me gjobë sa pesëfishi i çmimit për njësi të pajisjes përkatëse, që i ofrohet konsumatorit;

Neni 13

Në përputhje me nenin 10 të këtij ligji, shkeljet me karakter administrativ verifikohen dhe dënohen nga struktura përgjegjëse e mbikëqyrjes së tregut.

Neni 14

1.                Gjoba vendoset brenda 2 muajve nga data kur është konstatuar shkelja.

2.                Personi, që ka kryer shkeljen, duhet ta shlyejë gjobën brenda 10 ditëve nga data e marrjes njoftim për vendosjen e saj.

3.                Gjoba, e vendosur në zbatim të këtij ligji, është titull ekzekutiv dhe ekzekutohet nga zyrat e përmbarimit, në rast se nuk shlyhet në kohë, nga personi, që ka kryer shkeljen.

 

Neni 15

Kundër vendimit të strukturës përgjegjëse për mbikëqyrjen e tregut, personi, ndaj të cilit është vendosur masa administrative, ka të drejtë të bëjë ankim, në përputhje me nenin 24, të ligjit nr.9779, datë 16.7.2007, “Për sigurinë e përgjithshme, kërkesat thelbësore dhe vlerësimin e konformitetit të produkteve joushqimore”.

Neni 16

Të dhënat, që burojnë nga vjelja e gjobave, derdhen në buxhetin e shtetit.

KREU IV

DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

 

Neni 17

Ngarkohet Këshilli i Ministrave për nxjerrjen e akteve nënligjore, në zbatim të pikës 2, të nenit 4, të këtij ligji.

Neni 18

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

 

K R Y E T A R I

JOZEFINA TOPALLI


25/02/2009 Votoni per projektligjin PO:       JO: 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›