PS: Berisha të dorëzojë gardistët

Partia Socialiste i ka bërë sërish thirrje kryeministrit Sali Berisha që të dorëzojë gjashtë oficerët e Gardës së Republikës, për të cilët janë lëshuar urdhër-ndalimi nga Prokuroria e Përgjithshme.
Në një konferencë për shtyp, deputetja Ermonela Felaj ka deklaruar se dorëzimin e oficerëve nuk e kërkon opozita, por ligji.
“Berisha duhet të dorëzojë 6 gardistët. Çdo përpjekje e tij për t`i fshehur është e kotë. Policia duhet të ekzekutojë urdhër-arrestet, jo sepse e kërkon opozita apo shqiptarët, por sepse këtë e kërkon ligji”, ka pohuar Felaj.
Ajo gjithashtu ka paralajmëruar drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit se, nëse nuk zbatojnë urdhër-arrestet e prokurorisë do të përballen me pasoja penale.