PS, Braçe: Guvernatori Fullani, shami në xhepin e Berishës
TIRANE - Partia Socialiste ka kërkuar sot që Guvernatori i Bankës së Shqipërisë të mos rrijë në heshje, kur rritet borxhi publik. "Qeveria vendos të ndryshojnë nivelin e deficitit në buxhet, duke konfirmuar edhe një herë se arka e shtetit është bosh ne shkelje me Kushtetuten dhe e gjitha kjo ndodh nën heshtjen skandaloze të Guvernatorit, që është kthyer në shami mode në xhepin e kostumit të shtrenjtë të Sali Berishës". Kështu është shprehur sot deputeti socialist, Erjon Brace në një konferencë për shtyp.
Ai denoncoi se Qeveria është duke blerë borxh, me interes në rritje tejet të lartë, nga bankat e nivelit të dytë. "Këto para nuk merren për rrogat e dhjetorit, as për të kompensuar gjysma gjasme shpërblimet, as fare për të paguar pagat e prapambetura për më të varfrit: invalidët, të papunët por për faturën e borxheve elektorale që u përpinë në skemën kriminale të Sokol Olldashit përbërë nga qindra kantiere vizuale, por pa vepra.
Për faturën e tenderëve të korruptuar, ku zyrtarët e Qeverisë kanë hisen e tyre, si kosto shtesë në çdo tender, kthyer tashmë në element thelbësor në Republikën e ryshfetit që Sali Berisha administron", u shpreh Braçe.
Më tej ai solli fakte konkrete të abuzimeve të qeverisë me buxhetin e shtetit:
Blerjen e mbi 300 makinave për një sërë institucionesh, në 16 lotë, me vlerë 5.3 milion usd, brenda 50 ditëve.
Me 29 korrik, pra mu në mes të krizës politike e ekonomike, Qeveria, në MB, ka hapur tenderin.
Më 10 shtator, APP ka pezulluar procedurën e prokurimit dhe ka nisur hetimin.
Më 29 tetor, pas hetimit, APP ka vendosur anulimin e procedurës së tenderimit për lotin
1, loti më i madh në tender, vlera 4 mln usd, pasi fituesi nuk plotësonte kushtet e garës, pra qe i paligjshëm.
Nuk dihet çka ndodhur më pas, por më 23 nëntor, APP ka shpallur në buletinin e saj, se ka fitues dhe fituesi është po ai që ishte i pa ligjshëm në vendimin e parë.
Ne e disponojmë këtë dosje, e kemi shqyrtuar tani që kazani i qelbur i Ministrisë se Brendshme u hap, transparenca duhet të shkoj deri në fund, nisur nga këto fakte:
1-Nevoja e Qeverisë për të blerë mbi 300 makina për administratën, duke nisur nga policia, ka qenë e pa justifikuar për shkak të krizës ekonomike financiare.
Për shkak të politikës qeveritare për të hequr nga të ndenjurat e zyrtarëve të shtetit mbi 3000 makina shtetërore.
1- këto kanë qenë arsyet që Ministria e Financave me një shkresë të saj më datë 12 nëntor ka ndërprerë lidhjen e kontratës me kompanitë të paktën për lotin 5 të të njëjtit tender.
2-Tenderi për lotin 1 është kryer në kushte të theksuara pa ligjshmërie:
Kriteret e tenderit kanë kufizuar garën;
- kriteret teknike janë hartuar qëllimisht tejet selektive, duke shkuar thuajse në tipin e makinës së tregtuar nga kompania e paracaktuar, duke shmangur konkurrencën.
-kriteret e vendosura për të përmbushur kontratën, si afate kohore, kanë përjashtuar të tjerë konkurrente.
Procedura konkurruese e mbetur, shpallja e fituesit, ka qenë e pa ligjshme, duke shkelur kushtet e tenderit.
APP e ka shpallur njëherë të pa vlerë këtë procedure dhe ka anuluar garën.
APP, në mënyrë tejet të dyshimtë e anti-ligjore, në mënyrë të përsëritur, ka gjetur veten në gabim dhe ka shpallur të njëjtin fitues që më parë e kishte shpallur të pa vlefshëm, duke ju hequr të drejtën operatorëve t'i drejtohen sipas ligjit gjykatës.
APP ka urdhëruar lidhjen e kontratës me datën 23 nëntor kur sipas kërkesa të tenderit më datë 29 nëntor fituesi duhet të sillte pranë kontraktonit, 279 makina të kompletuara. Për çdo ditë vonesë sipas ligjit paguhet penalitet. Pardje në portin e Durrësit kanë ardhur 79 makina, ndërsa vlera e penalitetit për çdo ditë vonesë është 14 mln lekë në ditë, deri tani asnjë qindarka e arkëtuar.
Ky është skandali, i radhës, i Sali Berishës, i paguar gjithnjë si kosto korruptive nga paratë e taksave të qytetarëve, i munguar për qytetarët si paga e shpërblime, por jetik për Familjen që na qeverisë si pasuri e madhe e paligjshme.
Pikërisht për këtë, tani që kazani i qelbur i Ministrisë së Brendshme, për të larë hesapet
mes tyre, u hap, ne kërkojmë thellimin e hetimeve edhe për këtë tender me vlerë kaq të madhe!