PS: Do mbrojmë vlerat e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare

Partia Socialiste është e vendosur të mbrojë vlerat e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare si dhe dëshmorëve të kësaj lufte që dhanë jetën për lirinë dhe demokracinë e atdheut të tyre.
Në këtë kontekst deputetë të Partisë socialiste, drejtues të kësaj partie në qarkun e Shkodrës, të shoqëruar edhe nga veteranë të luftës Antifashiste kanë denoncuar edhe një herë dëmtimin e monumentit të 5 heronjve të Vigut, i cili pasi u zhvendos në mënyrën më të paqytetëruar nga Bashkia e Shkodrës, prej qendrës së qytetit në vendgrumbullimin e mbeturinave në periferi të qytetit, tashmë është bërë edhe pre e shkatërrimit pjesë pjesë, për t’u tregtuar për skrap.
Nga vendi ku ndodhet monumenti i gjymtuar nga barbarët e papërgjegjshëm, deputetët socialistë dënuan jo vetëm aktin e shkatërrimit të monumentit, por më shumë papërgjegjshmërinë e institucioneve që ligji i ngarkon me detyrën për t’u përgjigjur për ruajtjen e këtyre vlerave dhe simboleve historike, shkruan tema.
“Realiteti që shohim sot është shokues. “5 heronjtë e Vigut” qëndrojnë të heshtur, të braktisur, të përdhosur, në një periferi, në një cep plehrash ku i vendosën gjatë dhunimit të tyre të parë, ku me një vendim absurd të Këshillit Bashkiak, i larguan nga qendra e qytetit,” ka thënë deputetja socialiste Paulina Hoxha. Sipas saj ky nuk është një rast i veçuar, por një politikë vijuese e atyre që synojnë të dëmtojnë memorien historike të qytetit të Shkodrës.
“Në Shkodër prej kohësh janë dhunuar dhe më pas hequr pa e ditur se ku kanë përfunduar monumenti i Luftëtarit Partizan tek Varrezat e Dëshmorëve, bustet e Qemal Stafës, Perlat Rexhepit etj, pa folur për pllakat përkujtimore e lapidarë të ndryshëm. Janë shkatërruar monumente të rëndësishme të kulturës së historisë së popullit tonë, një dorë e fshehtë e nje mendje djallëzore, po kërkon çdo ditë t’ia heqë Shkodrës monumentet dhe bustet, që do të thotë t’ia heqin asaj identitetin kulturor dhe historik, duke ia dëmtuar kujtesën historike,” theksoi deputetja Hoxha.
Partia Socialiste edhe më herët kishte denoncuar fillimisht zhvendosjen e monumentit kushtuar heronjve të popullit Ahmet Haxhia, Naim Gjylbegu, Ndoc Mazi, Hydajet Lezha dhe Ndoc Deda e më pas edhe lënien e tij pa asnjë kujdes në një cep të humbur të qytetit, aty ku grumbullohen dhe digjen mbeturinat e qytetit./Indeksonline/