PS: Harrojini legalizimet, po vijnë prishjet
I ka bërë publikisht hasha premtimet elektorale, pa u ulur asnjë ditë në karrigen e kryeministrit. Edi Rama ka nxjerrë dje kasnecin Lame për të njoftuar se shqiptarët duhet t’i harrojnë legalizimet, as me lekë e as pa lekë, por duhet të përgatiten për një fushatë prishjesh e shkatërrimesh, si e vetmja alternativë që dinë të bëjnë socialistët e duket se sjell edhe përfitime korruptive
Premtimet e Edi Ramës ranë një nga një si kështjella prej rëre pa bërë as edhe 1 ditë pune në qeveri. Kur kanë mbetur thuajse edhe një muaj nga betimi i qeverisë së re, të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit, Edi Rama dhe njerëzit e tij nxituan tu thonë shqiptarëve se premtimet e fushatës elektorale nuk kanë për tu realizuar kurrë. Mes shumë mashtrimeve si ndryshimi i sistemit të kontributeve shëndetësore, duke kaluar në shëndetësi falas, heqja e TVSH për produktet bazë ushqimore, taksa progresive, krijimi i 300 mijë vendeve të reja të punës, një tjetër premtim është i destinuar të shndërrohet në mashtrim elektoral. Legalizimet për banesat pa leje ishin ndër premtimet dhe zotimet kryesore të Ramës thuajse në të gjithë vendin. Duke i mëshuar fort këtij fakti, ai e përforcoi mashtrimin se, jo vetëm që do realizonte legalizimet, por edhe do t’i bënte falas madje. Nga një premtim i bujshëm, sot vetëm 6 javë pas zgjedhjeve parlamentare, flasim për një rreng që iu hodh shqiptarëve, duke i çuar ata drejt kurthit të “legalizimeve që s’do bëhen kurrë”. Pak ditë më parë, Edi Rama njoftoi se këtë 4 vjeçar do të bëjë vetëm inventarizim si të banesave ashtu dhe të frymorëve, por për asnjë moment s’ka zënë në gojë çështjen e legalizimeve. Jo vetëm që legalizimet s’do bëhen kurrë gjatë katër vjeçarit të ardhshëm qeverisës, por do shkohet në kah të kundërt me këtë proces. Të gjithë ata që nxituan të ndërtojnë nisur nga premtimet e Edi Ramës, do të jenë të detyruar t’i shohin ndërtimet e tyre të rrafshuara për tokë. Të paktën këtë deklaroi dje krahu i djathtë i Edi Ramës në shkatërrimin e hapësirave publike dhe betonizimin e Tiranës, Artan Lame. Në një kohë kur në memorien e shqiptarëve është i freskët premtimi për legalizimet, Artan Lame pranoi se urdhri i Edi Ramës është që të rrafshohen të gjitha ndërtimet, pavarësisht se është premtuar pajisja e tyre me leje. “Po bëjnë letra falso, po shtojnë numra protokollesh, po nxjerrin vendime postum, etj. Kanë edhe një e muaj e ca kohë të bëjnë kërdinë, por në shtator mekanizmi pervers që kanë krijuar, do të ndalet dhe zbërthehet përgjithmonë. Qeveria e re do të mbajë premtimin e bërë. Ne do të legalizojmë falas shtëpitë e shqiptarëve në zonat informale, përkundrejt një programi të detajuar që do ta paraqesim brenda 100 ditëve të para të qeverisjes. Por nga ana tjetër ne nuk do të legalizojmë asgjë në vijën bregdetare dhe asgjë të ndërtuar për qëllim fitimi kudoqofte, brenda në qytete apo anash rrugëve kombëtare”, tha Lame. Artan Lame tha se në shtator Kryeministri do të paraqesë në Kuvend “Paketën e emergjencës kombëtare për territorin” dhe do të shpallë një nga betejat madhore të Qeverise së re: betejën e kthimit të pushtetit të qytetarëve mbi territorin e Republikës së Shqipërisë.
Mesazhi është i thjeshtë: për të gjitha banesat për të cilat është premtuar legalizimi dhe në sajë të këtij premtimi u siguruan votat për të marrë pushtetin, nga shtatori do të përfundojnë në gërmadha, duke i shkaktuar pronarëve kështu një dëm të dyfishtë, një ekonomik dhe tjetrin moral/psikologjik.
Prandaj, qeveria e mashtrimit duhet t’i ketë ditët sa më të shkurtra, pasi punët e pista dhe shkatërrimi janë dhe mbeten kryefjalë e politikës së mbrapshtë të Edi Ramës.