PS, Nikolla: Bumci, të mos kandidojë, është përfshirë në tragjedinë e Gërdecit

Tiranë, 18 qershor NOA Anëtarja e Kryesisë së Partisë Socialiste, Lindita Nikolla, me anë të një deklarate për shtyp ka kërkuar sot tërheqjen e Aldo Bumçit nga kandidimi për deputet pasi sipas saj ëhstë i përfshirë në tragjedinë e Gërdecit.
Sot, i drejtohemi publikisht kandidatit për deputet në qarkun e Tiranës, Aldo Bumcit, me kërkesën për tu tërhequr nga kandidimi dhe për tu larguar nga lista e Partisë Demokratike.
Aldo Bumci është përfshirë personalisht dhe qartësisht në tragjedinë e Gërdecit duke lejuar zhvillimin e një aktiviteti të paligjshëm që mori jetën e 26 të pafajshmëve deklaroi Nikolla.
Shkresa zyrtare e ish ministrit të drejtësisë Aldo Bumci, e cila i hap rrugën tragjedisë së Gërdecit, i drejtohet veç të tjerëve edhe djalit të Sali Berishës. Sali Berisha nuk mund të mbajë në listën e kandidatëve për deputetë njerëz që në mënyrë të vetëdijshme mbuluan me trup qeverinë shqiptare duke shkaktuar një nga tragjeditë më të rënda në Shqipëri.
Kandidimi i Aldo Bumcit në Tiranë dhe përfshirja e tij në listën e deputetëve është jo vetëm e gabuar, por dhe një shprehje e qartë e politikës së vjetër që ka mbërthyer Sali Berishën përfundoi anëtarja e kryesisë së PS-së Lindita Nikolla.
k.k/NOA