E Martë, 3 Nëntor 2026

PS-PD, “OK” amnistisë penale? Mazhoranca pranon propozimin që të përfitojnë edhe protestues të opozitës

Nga Enkelejda Mema 

Qeveria bën një hap pas dhe në parim bie dakord me propozimin e opozitës për më shumë të amnistuar penalisht.

Vendimi i shumicës socialiste vjen pasi projektligji për amnistinë penale po mbetet peng i 84 votave dhe PS e vetme nuk i zotëron.

Në mbledhjen e grupit të deputetëve socialistë, kryetari i tyre Bledi Çuçi deklaroi gadishmërinë për të zgjeruar kategorinë e të dënuarve që do të duhet të përfitojnë nga amnistia penale.

Propozimi i vetëm i dorëzuar nga opozita në kuvend është i deputetit demokrat Ferdinand Xhaferraj. Në amendamentin e tij, ai kërkon që të pushohen të gjitha çështjet e pashqyrtuara apo në proces shqyrtimi nga gjykatat e apelit për veprat penale deri në datën 30 qershor të një viti më parë.

Në këtë kategori përfshihen vetëm ata të cilët janë dënuar deri me 2 vite burg në shkallë të parë ose çdo lloj dënimi tjetër që është më butë.

Të përjashtuar nga kjo kërkesë janë funksionarë të lartë publik apo subjekte të vetëdeklarimit që janë dënuar për korrupsion dhe krim të organizuar nga SPAK dhe GJKKO.

Një tjetër kërkesë që ende nuk është dorëzuar zyrtarisht në kuvend është edhe ajo e demokratëve të drejtuar nga Lulzim Basha. Edhe ky grupim i PD-së kërkon zgjerim të të dënuarve që do të duhet të amnistohen penalisht.

Në dhjetorin e një viti më parë qeveria kaloi projektligjin për aministinë penale. Sipas tij, burgut do t’i shpëtojnë të paktën 600 të dënuar burra dhe gra për vepra të lehta penale.

Përfitues janë vetëm ata që janë dënuar me vendim të formës së prerë deri në 30 nëntorin e 2023-it dhe nuk u ka mbetur më shumë se tre vite burg për të kryer nga hyrja në fuqi e ligjit. Ndërsa për gratë kur u kanë mbetur 4 vite nga kryerja e dënimit.

E që 600 të dënuarit për vepra penale të amnistohen, ata do të duhet të presin sa PS si nismëtare të gjejë votat nga rradhët e demokratëve të Lulzim Bashës ose të Gazmend Bardhit e Sali Berishës./vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›