E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, betejë në Kuvend për hetimin e zgjedhjeve dhe ish-ushtarakët

TIRANË - Grupi parlamentar Socialist do të zhvillojë ditën e sotme një betejë të ashpër politike me mazhorancën gjatë punimeve të seancës plenare në Kuvendin e Shqipërisë. Ndonëse mbledhja e ligjbërësve socialistë ka zgjatur për vetëm 30 minuta, vendimet e marra kanë për qëllim zgjidhjen e krizës politike dhe bërjen e oponencës ndaj një sërë ligjeve që prekin interesat e një mase të gjerë të njerëzve. Në mbledhjen e zhvilluar tek ambientet e Partisë Socialiste, ka qenë kryetari i grupit parlamentar Socialist, Gramoz Ruçi, i cili ka informuar se kërkesën e 35 deputetëve për ringritjen e komisionit hetimor do ta dorëzonin sërish në Kuvend së bashku me dy variantet që përcaktojnë përbërjen e komisionit hetimor.

Në lidhje me këtë çështje, ka qenë edhe sekretari për Çështjet Ligjore në PS, Fatmir Xhafaj, i cili ka sqaruar deputetët lidhur me atë që do të bëhet. Deputetët socialistë kanë shprehur dakordësinë e tyre për të ridërguar në Kuvend kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor.
Në numrin e madh të projektligjeve që pritet të miratohen ditën e sotme, një tjetër pikë që do t'i kushtohet tepër rëndësi nga Partia Socialiste do të jetë dhe Akti Normativ që u redukton ushtarakëve të gjitha llojet e pensioneve nën masën e pensionit minimal. Do të jetë pika e 12 e rendit të ditës ajo ku socialistët do të kërkojnë nga mazhoranca mosmiratimin e këtij akti. Burime nga selia rozë bëjnë të ditur se qëndrimi i grupit parlamentar Socialist do të mbështetet në antikushtetutshmërinë e këtij ligji dhe do të kërkojnë që ushtarakëve t'u jepet e drejta e tyre.

Të njëjtat burime bëjnë të ditur se krahas kundërshtimit, ata do të deklarojnë se nëse nuk e bën mazhoranca një gjë të tillë, me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste ky akt normativ do të shfuqizohet dhe ish-ushtarakëve do t'u jepet vlerësimi që u takon. Grupi i PS do të qëndrojë deri në fund në sallë, por nuk do të marrë pjesë në votimin e projektligjeve.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›