E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS bllokon Bajrabën

Ndërsa çifti Barjaba vijon sqarimin me gjykatën amerikane për akuzën e vjedhjes, në Shqipëri ata pezullohen nga funksionet publike.

Partia Socialiste e Shqipërisë ka mbledhur Komisionin e Garancive Statutare duke marrë vendimin për pezullimin nga të gjitha funksionet partiake Fatbardha Barjaben, si dhe pezullimin e Kosta Barjaba nga çdo marrëdhënie teknike dhe konsultative me Partinë Socialiste, transmeton TCH.

Komisioni ka marrë në shqyrtim kërkesën e bërë nga Kryetari i PS-së së Tiranës, Saimir Tahiri, me objekt përputhshmërinë me normat e Statutit të Veprimeve të anëtares së PS-së, Fatbardha Barjaba. Komisioni ka vërejtur se ekzistojnë dyshime të arsyeshme dhe të bazuara që tregojnë se veprimet e anëtares së Partisë, Fatbardha Barjaba janë në kundërshtim me normat statusore dhe parimet e përgjithshme morale te PS-së, si dhe cenojnë rëndë normat shoqërore dhe etikën e sjelljes.

Komisioni i Garancive Statutore nisur nga fakti se informacionet nuk janë përfundimtare, bazuar dhe në parimin e prezumimit të pafajësisë deri në shprehjen përfundimtare të organeve kompetente gjyqësore, gjykon se Fatbardha Barjaba duhet të pezullohet nga çdo strukturë, aktivitet, përfaqësim apo veprimtari politike e PSSH.

Akademia e Shkencave gjithashtu, anëtar i të cilit ishte Kosta Barjaba, i ka ngrirë titullin akademik deri në sqarim të akuzave nga gjykata amerikane. Akademia thotë se nëse akuzat vërtetohen, akti është i turpshëm,i papranueshëm dhe në kundërshtim me moralin akademik, por procedimi përfundimtar ndaj tij do të bëhet pasi gjykata të japë vendimin.

PD: Rama të bëjë publike lidhjet me Bajrabën

Partia Demokratike kërkoi të shtunën që kryesocialisti Edi Rama të bëjë publike të gjitha lidhjet e tij me sekretarin për çështjet sociale, Kosta Bajraba".

"Dje kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, duke mashtruar qytetarët shqiptarë, u përpoq të lante duart me Sekretarin e tij për Çështjet Sociale dhe Ndihmën Ekonomike, Kosta Barjaba, i cili kreu aktin e shëmtuar të vjedhjes në supermarketin Nordstrom, së bashku me gruan e tij. Fatbardha Barjaba. zëdhënëse e grupit të këshilltarëve të Partisë Socialiste në Bashkinë e Tiranës. Zoti Rama, nëpërmjet zëdhënësit të tij, Tahiri, mashtroi dje shqiptarët, duke deklaruar se sekretari i PS-së, xhepisti ordiner Kosta Barjaba, nuk kishte lidhje me PS-në dhe se atë nuk e kishte thirrur njeri, por kishte ardhur të kontribuonte vetë", tha zëdhënësja e PD-së./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›