E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS dorëzon ankimimin në Kolegjin Zgjedhor

Partia Socialiste ka dorëzuar sot në Kolegjin Zgjedhor ankimimin sipas së cilit kërkon pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Tiranë.

Kërkesa e PS-së është depozituar një ditë pas lajmërimit nga ana e deputetit të PS-së, Fatmir Xhafa se gjithçka do të ndodhte në përputhje me afatin 5 ditor sipas së cilit PS-ja kishte të drejtë të depozitonte ankimimin e saj në Kolegjin Zgjedhor  .

Ankimimi është një analizë prej 61 faqesh e gjithë procesit në 284 qendra votimi, shoqëruar kjo me dokumente dhe filmime të procesit të numërimit në KQZ që sipas saj vërtetojnë edhe manipulimet e bëra.

Në kërkesën e saj PS-ja vëren se në 284 qendra votimi janë gjetur shkelje të shumta, që nga mosrakordimi i numrave deri te mungesa e kodit të pestë, apo zhdukja e zarfit me fletët e votimit të pavlefshme.

Në kërkesën ankimore renditen një sërë parregullsish të evidentuara gjatë hapjes së kutive në KQZ dhe Partia Socialiste ka dek.

Kështu, sipas PS-së, përveç kutive që i mungonte kodi i pestë, kishte kuti të dëmtuara, kuti ku mund të ndërhyhej duke futur ose nxjerrë zarfe apo fletë votim, kuti ku mungonin zarfet me votat e pavlefshme apo edhe kuti që kishin fletë votimi që nuk i përkisnin asaj qendre. Një tjetër pretendim i socialistëve është fakti se në disa qendra votimi ka më pak vota se numri i votuesve që kanë marrë pjesë në zgjedhje.

Ndërkohë duke iu referuar Kodit Zgjedhor, nëse KQZ-ja apo Kolegji shpallin pavlefshmëri qoftë edhe në një qendër votimi, e gjithë Tirana kalon në rivotim për shkak të ndikimit që ka ajo qendër votimi në rezultatin e zgjedhjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›