PS padit KQZ: Të miratojnë afatet procedurale për zgjedhjet në Himarë

Partia Socialiste ka paditur në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pasi sipas saj nuk po miraton afatet procedurale që lidhen me organizimin e zgjedhjeve të pjesshme për kryetar në Bashkinë Himarë.
Zgjedhjet e pjesshme në Himarë do të zhvillohen më 4 gusht 2024, por Komisioni Rregullator në mbledhjen e fundit nuk arrti dakordësinë që të miratonte afat procedurale.
Këtë të hënë (15 korrik) në orën 12.00 në ambientet e Gjykatës Administrative të Apelit do të hidhet shorti për përcaktimin e trupit gjykues për gjykimin e kërkesëpadisë së PS.
“Kundërshtim ndaj mosmarries vendim nga Komisioni Rregullator në KQZ, “Për miratimin e disa afateve procedurale që lidhen me zgjedhjet e pjesshme për kryetar në Bashkinë Himarë, që do të zhvillohen më datë 4 gusht 2024”. Detyrimin e Komisionit Rregullator në KQZ për të marrë menjëherë vendim “Për miratimin e disa afateve procedurale që lidhen me zgjedhjet e pjesshme për kryetar në Bashkinë Himarë, që do të zhvillohen më datë 4 gusht 2024”, thuhet në kërkesëpadinë e PS.
Në mbledhjen e 9 korrikut, Komisioni Rregullator në KQZ nuk arriti dakordësinë për miratimin e afateve procedurale për organizmin e zgjedhjeve të pjesshme në Himarë.
Debatet nisën kur anëtari Muharrem Çakaj tha se dekreti i Begajt për shpalljen e zgjedhjeve më datë 4 gusht është i pavlefshëm pasi duhej pritur të kaloni afati për ankimin e vendimmarrjes së KQZ. Nga ana tjetër përfaqësuesi i PS në KQZ, Eridian Salianji tha se Komisioni rregullator po tejkalon kompetencat duke gjykuar një vendim të KQZ për heqjen e mandatit dhe dekretin e Presidentit për shpalljen e zgjedhjeve, duke thënë se janë në kufijtë e shpërdorimit të detyrës.
Sipas projektvendimit, fushata zgjedhore për zgjedhjet e pjesshme për Kryetarin e Bashkisë Himarë është parashikuar të fillojë më datë 26 korrik 2024, ndërsa partitë duhet të regjistrohen deri në datën 15 korrik.
/rtsh.al/