E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, padit në Kolegjin Zgjedhor, KZQ-në

Partia Socialiste i drejtohet Gjykatës për të zgjidhur situatën e krijuar për rezultatin për kryetar të Bashkisë së Tiranës. Selia rozë ka paditur në Kolegjin Zgjedhor, Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve për shpalljen e kandiditatit fitues për Bashkinë e Tiranës. Një tjetër pikë e padisë së këtij subjekti politik është edhe për mos miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultateve për KZAZ Nr.49 në kryeqytet.
 

Sipas kësaj padie e cila ka mbërritur në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit në Tiranës thuhet se në përfundim të procesit të numërimit të votave, për kandidatët për kryetar të Bashkisë Tiranë dhe Këshillin Bashkiak të Bashkisë Tiranë, nga dhjetë KZAZ të kësaj zone zgjedhore, janë miratuar tabelat përmbledhëse të rezultateve të qendrave të votimit, ndërsa KZAZ Nr.49 nuk e ka miratuar këtë tabelë duke marrë vendimin Nr.37 datë 16/05/2011 për mos miratimin e saj.
 

Menjëherë pas këtij veprimi, Partia Socialiste, ka paraqitur ankim në KQZ në këtë datë me objekt ndryshimin e vendimit Nr.37 datë 16/05/2011 të KZAZ Nr.49 dhe miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultatit për zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë Tiranë. Ankimimi i është depozituar KQZ dhe është regjistruar në regjistrin e ankimeve më datën 16/05/2011 . Ndërkohë që nga kjo datë, KQZ nuk ka marrë asnjë vendim dhe për këtë arsye PS ka paditur në Kolegjin Zgjedhor. Ndërsa pika e dytë e padisë së bërë nga selia rozë është se KQZ nuk ka nxjerr rezultatin e Bashkisë së Tiranës dhe shpalljen e kandidatit fitues. Tashmë padia është në dorë të Kolegjit Zgjedhor ku do të hidhet edhe shorti se kush do të jenë pesë gjyqtarët e Apelit që do të shqyrtojnë padinë e PS-së.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›