E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

PS propozon ndryshime për komisionet hetimore: Të ngrihen për çështje të veçanta, jo aludime! Të zhvillohen me dyer të mbyllura

Komisioni për Çështjet Ligjore, ka miratuar me 15 vota pro propozimin e deputetes së PS, Ermonela Felaj për ligjin për komisionet hetimore. Ndërsa u hodhën poshtë propozimet e bëra nga deputetët Jorida Tabaku dhe Edmond Spaho.

Felaj tha se propozimi i PS bazohet në ligjin gjerman për komisionet hetimore. Sipas këtij projektligji, komisionet hetimore do të ngrihen vetëm për çështje të veçanta dhe jo mbi aludime. Gjithashtu komisionet hetimore mund të zhvillohen edhe me dyer të mbyllura në raste të caktuara me qëllim mbrojtjen e të dhënave të dëshmitarit që mund të merret në pyetje.

“Gjatë ditës së sotme në emër të grupit të PS kam depozituar në Kuvend nismën për disa shtesa dhe ndryshime për funksionimin e Komisioneve Hetimore. Ky është produkt i një pune disa mujore, që në krye të herës është folur nga të gjithë anëtaret e Kuvendit, përfaqësues të opozitës apo mazhorancës. Nga të dy përfaqësuesit qoftë të mazhorancës qoftë të pakicës në përfundimet e raporteve për komisionin hetimor të inceneratorëve përfaqësuesit kanë kërkuar rishikmim të ligjit”, tha Felaj.

Ndërkohë kujtojmë që opozita prej disa kohësh tashmë ka nisur një aksion, duke mos lejuar zhvillimin e seancave plenare dhe komisioneve parlamentare, nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre për ngritjen e komisioneve hetimore.

Janë disa çështje, që sipas opozitës duhet të hetohen, duke nisur që nga udhëtimet e kryeministrit Edi Rama me charter, e deri tek koncensionet në shëndetësi dhe ndërhyrjet në sistemin TIMS.

Por tashmë që mazhoranca po tenton të ndryshojë ligjin, duket se kërkesat e opozitës do të dalin të pavlefshme dhe pa bazë ligjore./vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›