PS regjistron aleancën me 40 parti, Berisha: Rama po bën të dyzetat
Rreth pesë orë përpara skadimit të afatit zyrtar, Partia Socialiste ka dorëzuar e para në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dokumentacionin e regjistrimit të koalicionit të saj garues për zgjedhjet e 23 qershorit.
Opozita ka në përbërje të koalicionit të saj plot 40 parti, duke përbërë edhe koalicionin më të madh të këtyre zgjedhjeve. Përpos partive tradicionale të së majtës, aleanca e opozitës do të ketë edhe parti e grupime të së djathtës.
Kërkesa për regjistrimin e koalicionit, të cilin opozita e ka emërtuar Aleanca për Shqipërinë Europiane, është dorëzuar në protokollin e KQZ-së nga përfaqësuesit ligjorë të PS në këtë institucion, Genc Gjonçaj dhe Eridian Salianji.
Kjo aleancë, që numëron pothuaj 15 forca politike më shumë se koalicioni i djathtë, është konsideruar nga përfaqësuesit e opozitës si koalicioni fitues i zgjedhjeve të 23 qershorit, prononcim të cilin zoti Gjonçaj e bëri pasi doli nga KQZ.
Pranë institucionit më të lartë zgjedhor pritet që përfaqësuesi i demokratëve Njazi Kosovrasti të dorëzojë kërkesën zyrtare të regjistrimit të koalicionit të djathtë.
Reagon Berisha
Në takimin me drejtuesit e strukturave të Partisë Demokratike për fushatën elektorale kryeministri Sali Berisha ka ironizuar kreun e opozitës Edi Rama për aleancën parazgjedhore, duke iu referuar numrit 40 të emrave të regjistruar në KQZ të Aleancës ëpr Shqipërinë evropiane.
Rama regjistroi sot të 40 vitet e lindjes, dështak dhe qesharak, ai ka rreshtuar 40 emra njëlloj si për të respektuar të dyzetat, ironizoi shefi i qeverisë, ndërsa ka vlerësuar aleancën për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim si një aleancë të ndërtuar mbi vlera.
Ai gjithashtu informoi se shumë shpejt koalicionit të djathtë do ti shtohet dhe një parti, duke e çuar numrin në total 25+1.
Kryeministri i bëri apel Ramës për të kthyer sa më shpejt anëtarët në KQZ, ndërsa garantoi se këto zgjedhje do të jenë sipas standardeve ndërkombëtare dhe ftoi OSBE/ODIHR të vlerësojë procesin zgjedhor.