E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS shtyn protestat, Rama nis dialogun me Shqipërinë

Kryetari socialist, Edi Rama, do të nisë një tur takimesh që do të përfshijë bashkitë kryesore të vendit.Sipas një kalendari, Rama do ti nisë takimet me qytete si Fieri, Lushnja e Berati, për të vazhduar më tej me qytetet e Jugut. Këto takime do të jenë në vazhdim të thirrjes që ai u bëri anëtarëve të Asamblesë Kombëtare për të zhvilluar takime me strukturat dhe bazën socialiste për tu transmetuar atyre fitoren e socialisteve në zgjedhjet e 8 majit në 2/3 e bashkive dhe komunave të Shqipërisë. Mësohet se takimet do të zhvillohen me anëtarë të Asamblesë, deputetët të zonës, krerët e komunave dhe bashkive, por dhe këshilltarët e zgjedhur në këto njësi vendore. Gjithashtu, në takime do të jenë të pranishëm dhe drejtuesit socialistç të organizatave socialiste dhe asambleve lokale. Në qendër të takimeve do të jetë fitorja e kandidatëve socialistë në një numër të madh bashkish dhe komunash, por dhe beteja ligjore që po zhvillohet në KQZ e Kolegj për Bashkinë e Tiranës. Ishte vetë Rama që u propozoi anëtarëve të Asamblesë të nisin takimet me strukturat e partisë në bazë. Lejomëni tju propozoj që këto dy javë të jenë për të gjithë ne koha e një komunikimi intensiv me anëtarësinë e partisë në të gjithë territorin e vendit, për të lexuar së bashku, me gjithë vëmendjen e duhur, fitoren e 8 majit, arritjet e bukura dhe problematikën e një procesi që jo vetëm na nxori fitues, po na ka nxjerrë edhe të sfiduar për të hedhur një hap të ri përpara drejt fitores së ardhshme, u shpreh Rama në mbledhjen e së shtunës në Asamblenë Kombëtare. Një nga shqetësimet e ngritura në këtë mbledhje ishte dhe administrimi jo i mirë që Partia Socialiste po i bën këtij rezultati. Kryetari i Asamblesë Kombëtare, Ruçi, kërkoi nga anëtarët e saj që të sqarojnë me strukturat fitoren e PS në komuna dhe bashki. Gjatë këtyre dy javëve të shkojnë të gjithë anëtarët e Asamblesë dhe deputetët dhe tu tregojnë strukturave dhe mbështetësve tanë se ne kemi fituar në 2/3 e vendit dhe se dimë të qeverisim. Berisha është mjeshtër që ta kthejë humbjen në fitore, ndërsa ne nuk mundemi ta bëjmë fitoren pronën tonë, madje ndonjëherë e trajtojmë dhe si humbje, u shpreh Ruçi në mbledhjen e Asamblesë.
Zgjedhjet
Por, turi i Ramës do të prekë dhe çështjet e zgjedhjeve të reja në Partinë socialiste, fushatë që do të hapet në mbledhjen e ardhshme të Asamblesë socialiste, që pritet të mblidhet më 29 qershor. Gjatë gjithë verës, të gjitha strukturat socialiste do të zhvillojnë zgjedhjet e tyre, që nga kryetarët e organizatave e deri te delegatët e kongresit. Delegatët e kongresit do të zgjidhen përmes parimit Një anëtar, një votë, ndërsa krerët e asambleve të komunave dhe bashkive do të zgjidhen nga vota e anëtarëve të Asamblesë, të cilët janë kryetarë organizatash. Në muajin tetor socialistët do të mbledhin kongresin zgjedhor, ku do të zgjidhet Asambleja e re Kombëtare, e cila do të zgjedhë më pas Kryesinë dhe sekretarët.

Tahiri

Partia Socialiste e akuzoi dje KQZ-në se po mundohet që përmes manipulimit të nxjerrë fitues kandidatin e maxhorancës, Lulzim Basha. Deputeti Saimir Tahiri akuzoi direkt kryeministrin Berisha dhe kreun e KQZ-së Ristani. Arroganca e Ristanit nuk është ndryshe nga arroganca e Saliut për të manipuluar procesin zgjedhor dhe për ta bërë me dhunë Lulzim Bashën fitues me vota të vjedhura. Ky proces është ilegjitim, manipulativ e spekulativ. Si i tillë, nuk mundet dot kurrsesi të legalizojë vjedhjen e zgjedhjeve në tavolinën e pushtetit. Ne thjesht nuk do ta lejojmë, u shpreh Tahiri. Ai solli dje nga selia rozë fakte rreth këtij manipulimi, siç e quajti ai.

Tabaku

Partia Demokratike reagoi dje pas deklaratave të deputetit Tahiri përmes këshilltares demokrate në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Jorida Tabaku. Ajo e akuzoi kreun socialist se po kërcënon KQZ-në për punën që po bën. Të shtunën, Edi Rama kërcënoi se do të bojkotojë Parlamentin nëse KQZ vazhdon procesin e urdhëruar nga Kolegji Zgjedhor, pas ankesës që bëri vetë z. Rama. Të dielën tha që KQZ po vepron nën urdhrat e Berishës, ndërkohë që të gjithë e dinë se KQZ po vepron sipas urdhrit që dha Kolegji Zgjedhor, me kërkesën e bërë nga vetë Partia Socialiste, u shpreh Tabaku. Selia blu bëri thirrje që palët tu përgjigjen deklaratave të ndërkombëtarëve për maturi dhe sipas selisë blu, kreu i PS nuk po e bën një gjë të tillë.

Aristir Lumezi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›