E Diel, 1 Nëntor 2026

Pa debat dhe mes tensioneve politike dhe përplasjes së deputetëve, Kuvendi miraton shtatë akte me 76 vota!

Kuvendi i Shqipërisë miratoi të enjten e 22 tetorit, gjashtë projektligje dhe një projektvendim, në një seancë plenare të shoqëruar me tensione, përplasje fizike dhe ndërprerje të diskutimeve parlamentare.

Të shtatë aktet u miratuan me nga 76 vota, përmes votimit me kartonë, pasi sistemi elektronik i votimit nuk funksiononte.

Seanca u zhvillua në një atmosferë të tensionuar, me deputetët e opozitës që bllokuan foltoren, vendosën karriget mbi tavolina dhe kundërshtuan vazhdimin e punimeve.

Pas një ndërprerjeje disa minutëshe, kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, kërkoi kalimin drejtpërdrejt në votimin e projektligjeve të rendit të ditës, duke hequr dorë nga diskutimet.

Kërkesa u hodh në votim nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, dhe u miratua nga shumica parlamentare.

Vendimi përshkallëzoi tensionet. Deputetët demokratë ndërprenë fjalën e Ballës duke i shkëputur mikrofonin, ndërsa gjatë votimeve pati tentativa për t’u marrë kartonët deputetëve socialistë dhe përplasje fizike mes ligjvënësve.

Çfarë miratoi Kuvendi?

Mes akteve të miratuara ishte ratifikimi i Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, e nënshkruar në Luksemburg më 13 maj 2025.

Kuvendi ratifikoi gjithashtu marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar dhe kryerjen e kontrolleve të përbashkëta.

Në fushën financiare, u miratuan ndryshimet në ligjin për shërbimet e pagesave, si dhe projektligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Mazhoranca votoi edhe ndryshimet në ligjin për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to, si dhe projektligjin për treguesit gjeografikë të produkteve artizanale dhe industriale.

Akti i shtatë ishte projektvendimi për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale në Shqipëri.

Të gjitha këto nisma kaluan me nga 76 vota, pa zhvillimin e diskutimeve të parashikuara në seancë, pas vendimit të shumicës për të përshpejtuar procedurën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›