E Diel, 1 Nëntor 2026

Pacientja e parë që iu nënshtrua zëvendësimit të valvulës mitrale në Shqipëri operohet sërish me sukses pas 50 vitesh në QSUT

TIRANË, 1 gusht  /ATSH/ Pas gati 50 vitesh nga operacioni i parë në zemër i kryer në Shqipëri, pacientja e parë që iu nënshtrua kësaj ndërhyrjeje është operuar sërish në Shërbimin e Kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), duke shënuar një moment me vlerë historike për mjekësinë shqiptare.

Xhemile Kasalli, e cila në vitin 1975 iu nënshtrua ndërhyrjes së parë në zemër nga themeluesi i kardiokirurgjisë shqiptare, profesor Petrit Gaçe, u rikthye në të njëjtin shërbim për zëvendësimin e valvulës mitrale.

Ajo kujton se në moshën 25-vjeçare mori vetë vendimin për t’iu nënshtruar operacionit, në një kohë kur ndërhyrjet kardiokirurgjikale sapo kishin nisur në vend.

“Edhe herën e parë hyra me shumë kurajë. Edhe tani nuk pata asnjë pikë frikë. I thashë doktorit se do të dilnim shumë mirë nga ky operacion”, shprehet Kasalli.

Pas ndërhyrjes, ajo tha se ndihet shumë më mirë dhe falënderoi ekipin mjekësor për profesionalizmin dhe përkujdesjen.

“Operacioni shkoi shumë mirë. Ndihem më e lehtësuar. Kam pak dhimbje, por ato kalojnë. Kanë duar të arta. Profesorët tanë janë të jashtëzakonshëm. Doktor Altini më dha kurajë në një moment shumë të vështirë dhe i jam mirënjohëse, ashtu si edhe gjithë stafit infermieror”, u shpreh ajo.

Kardiokirurgu Altin Veshti, i cili kreu ndërhyrjen, e cilësoi rastin si një moment me rëndësi të veçantë për historinë e kardiokirurgjisë shqiptare.

“Xhemilja është pacientja e parë e operuar në zemër nga profesori i madh Petrit Gaçe. Me të, praktikisht, nisi kirurgjia e zemrës në Shqipëri. Sot, rreth 50 vjet më pas, ne realizuam me sukses zëvendësimin e valvulës mitrale, e cila ishte riparuar në operacionin e parë. Ky është një moment me vlerë simbolike dhe historike, që dëshmon vazhdimësinë e shkollës shqiptare të kardiokirurgjisë”, tha ai.

Sipas mjekut, ndërhyrja u realizua me sukses duke përdorur një valvul biologjike dhe pacientja është në gjendje të mirë shëndetësore, gati për t’u rikthyer në shtëpi.

Vetë Kasalli e cilësoi ekipin mjekësor si shpëtimtar të jetës së saj.

“Kur erdha këtu nuk merrja frymë. I thashë doktorit: “Të lutem, më shpëto nga vdekja, vetëm më fut në operacion”. Sot jam shumë e lumtur që gjithçka shkoi mirë. Doktor Altini ka vazhduar denjësisht rrugën e profesor Petrit Gaçes”, u shpreh ajo.

/e.i/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›